Ligjet për lehtësimin e procedurave për ndërtimin e Korridorit 8 kaluan filtrin e parë në Kuvend, gjegjësisht u votua nevoja për procedimin e tyre. Me këto ndryshime, realizuesi i projektit përfiton lehtësime dhe merr autoritet të vendosë mbi shumë procedura gjatë realizimit. Shumica arsyetohet se ky është projekt stretaegjik .
Deputetët në kuadër të mbledhjes së 112-të me 58 vota “për”, tre “kundër” dhe asnjë të përmbajtur e votuan nevojën për miratimin e Propozimit të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, me procedurë të shkurtër – i propozuar nga deputetët Arbana Pasholli, Arben Ziberi, Arbër Ademi, Arta Bilalli Zendeli, Bajram Kadrija, Bedri Fazli, Berat Ajdari, Vjollca Ademi, Latife Shikovska, Maria Georgievska, Merita Kolçi Koxhaxhiku, Rina Ajdari, Fisnike Bekteshi Shaqiri dhe Halil Snopçe. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i angazhoi Komisionin e Transportit, Lidhjeve dhe Ekologjisë dhe Komisionin Ligjvënës Juridik që të debatojnë për këtë propozim ligj.
Koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një nga propozuesit, Arbër Ademi theksoi se Propozimi i ligjit është mundësimi i punës efikase për rrugët shtetërore si ndërtim i cili është paraparë me Ligjin me interes publik dhe emërimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor Korridori 8 (seksioni: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10 D (seksioni i ausotradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me procedurë të shkurtër.
“Me këtë propozim ligj mundësohet që ndërtimet të cilat janë me interes strategjik të shtetit të kenë një realizim më në kohë dhe më efikas të projektit”, tha Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.
Për shkak se bëhet fjalë për projekt të rëndësishëm strategjik, ishte arsyetimi që u dha për propozim ndryshimet dhe plotësimet e tetë ligjeve me procedurë të shkurtuar me të cilat pushteti do të përshpejtojë realizimin e ndërtimit të Korridorit 8. Nevoja për miratimin e tyre u miratua me shumicë të deputetëve prezent. Nismat ngjallën reagime të shumta në opinion pasi me miratimin e tyre do të mundësohet anashkalimi i disa procedurave administrative gjatë realizimit. Me ndryshimet në ligjin për urbanizëm do të anashkalohet procedura e zakonshme e ndërtimit kurse me ndryshimin e ligjit për tokë bujqësore do të mundësohet kalimi i shpejtë i tokës bujqësore në ndërtimore. I njëjti fat i pret dhe tokat pyjore që i kap projekti. Shpronësimi është një çështje tjetër që preket nga propozim-ligjet dhe që prek të drejtën e pronarëve për të vendosur për pronat e tyre.
Në ndryshimet ligjore propozohet rritja e orarit të punës së punëtorëve ndërtimorë që do të jenë në terren, me qëllim që të mundësohet ata të punojnë më shumë se tetë orë në ditë. Me procedurë të shpejtë, propozohet të merren të gjitha lejet dhe dokumentet e nevojshme ndërtimore dhe që investitori strategjik në Maqedoni të lirohet nga pagesa e TVSH-së dhe akcizës për lëndë djegëse.