Avokati i Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.
“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.
Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.
Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur thuajse para 25 vjetësh dhe me keqbesim apo jo kujtimet edhe mund të dobësohen apo shtrembërohen”, tha ai.
Emmerson tha se situata ndërlikohet edhe më shumë për shkak të propagandës së luftës, që tha se është përdorur nga të gjitha palët, përfshirë UÇK-në.
okati mbrojtës i Kadri Veselit deklaroi se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë, përjashtim me një që do ta shqyrtojnë më vonë, e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.
“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.
Sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.
Emmerson ka përshkruar rolin e klientit të tij brenda strukturave UÇK-së si shef i shërbimit sekret.
“Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova deri pak para momentit që NATO të marrë vendimin për bombardime”, tha ai.
Sipas avokatit, Funksioni i zbulimit që kryente Veseli ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.
“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo gjetjen e kolaboracionistëve. Fokusi i tij ishte thuajse tërësisht me mbajtjen e lidhjes me organizatat e huaja”, tha Emmerson.
Ai përsëriti disa herë që Veseli kishte qëndruar jashtë Kosovës dhe nuk ishte prezent në vendet ku prokuroria pretendon se janë kryer krime në qendrat e ndalimit.
/ Radio Evropa e Lirë
Top Channel