4.6 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKërkesa për zbatim të marrëveshjes, kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq takohen të martën...

Kërkesa për zbatim të marrëveshjes, kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq takohen të martën në Bruksel

Takimi i radhës në kuadër të zhvillimeve në dialogun Kosovë-Serbi, është i paraparë të mbahet shumë shpejt.

Pas zhvillimeve në Bruksel dhe Ohër, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, radhën e kanë dy kryenegociatorët e palëve.

Në Bruksel, tash pritet të takohen zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Derisa takimin e konfirmoi edhe kryeministri Kurti të enjten, por pa dhënë ndonjë datë të saktë, ky detaj u shpalos të premtën nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas Rohde, Bislimi dhe Petkoviq, në Bruksel, do të takohen të martën e 4 prillit.

“BE-ja e ka bërë të qartë që do të ketë pasoja, por nuk po punojmë për pasoja, por për zbatimin e marrëveshjes, dy palët duhet të punojnë në marrëveshje për çka janë zotuar. Askush nuk ka parë indikacione në Bruksel se nuk duan ta zbatojnë”, deklaroi Rohde, në një diskutim mediatik që u mbajt të premtën në Çagllavicë, me fokus në zhvillimet në dialog.

Ndonëse tha se ka parë deklarata të padobishme, sipas Rohdes, BE-ja po punon për ta filluar procesin e zbatimit.

“Kemi parë deklarata që nuk janë të dobishme. Por jemi duke punuar shumë në Bruksel sidomos zotëri Lajçak dhe ekipi i tij, për të filluar procesin e zbatimit, përsëri të martën e ardhshme është takimi i ardhshëm i parë për këtë çështje për të përkufizuar detajet. Ka një dialog të vazhdueshëm politik për t’i bindur palët e interesuara për ta bërë gjënë e duhur”, ka deklaruar ambasadori gjerman.

Ndërkaq ambasadori francez, Olivier Guerot theksoi se nga lideri i Serbisë pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët.

“Është shumë herët të thuhet se cilat do të jenë pasojat dhe tani duhet të fokusohemi në përfitimet”, tha Guerot.

Kur foli për aneksin e zbatimit, ai përmendi nivelin e vetëqeverisjes për komunat me shumicë serbe, ku tha se në tekst qartazi bëhet fjalë për Asociacionin.

“Mendoj që kam qenë shumë i qartë. Presim nga Qeveria e Kosovës, siç ceket në Aneks që Kosova fillon negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ofron garanci për të siguruar një nivel të vetëqeverisjes të komunave me shumicë serbe të Kosovës në pajtim me marrëveshjet dhe për ne teksti është i qartë që flet për krijim të Asociacionit”, ka thënë Guerot.

Marrëveshja drejt normalizimit, ndër të tjera, parasheh respektimin e ndërsjellë të pavarësisë, autonomisë dhe integritetin territorial, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Gjithashtu, Serbia merr përsipër të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkaq marrëveshja parasheh edhe njohjen reciproke të targave, simboleve, dokumenteve, diplomave dhe vulave doganore.

Gjithashtu, në marrëveshje është paraparë edhe një “aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë”, gjegjësisht, një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.

Ky propozim është mbështetur nga vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkimi Evropian ka njoftuar më herët se kjo Marrëveshje, ndonëse e pa nënshkruar, është ligjërisht obliguese dhe se do të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

© SYRI.net

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments