Autostrada nga Prizreni deri në Tetovë është një nga projektet rrugore që mund të rishikohet në të ardhmen dhe nga e cila nuk do të heqim dorë, sepse Ballkani ka nevojë për infrastrukturë moderne, por për momentin prioritetet dhe mjetet financiare – buxhetore dhe kreditore janë të destinuara për drejtimet rrugore nga korridoret 8 dhe 10d si dhe për realizimin e autostradës nga Bllaca deri në Shkup, ka thënë sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Me Qeverinë e Kosovës është nënshkruar memorandum për zgjidhje sa i takon autostradës Prizren – Tetovë, ndërsa kemi diskutuar edhe në nivel ministrash dhe ekspertësh për infrastrukturën rrugore. Edhe pse prioritet i ynë janë projektet rrugore nga korridoret 8 dhe 10d nuk do të thotë se me Qeverinë e Kosovës edhe në të ardhmen nuk do të bisedojmë për zgjidhje. Është e nevojshme të bëhet një studim fizibiliteti dhe të shihet qëndrueshmëria ekonomike e asaj rruge si dhe lidhja me të cilën me përfundimin e 12 kilometrave të autostradës Bllacë -Shkup do të kemi zgjidhje moderne të autostradës që përmes Shkupit dhe Prishtinës lidhet edhe Prizreni më pas edhe me kufirin shqiptar, tha Kovaçevski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në grupacionin “Vezë Sharri” së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ai nënvizon se në të ardhmen të gjitha vendet e rajonit do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe mu për këtë, shtoi ai, rajoni ka nevojë për infrastrukturë si ajo evropiane. Siç ka shtuar ai, prioritet për vendin është përfundimi i korridorit 8 në shtrirjen nga Tetova deri në kufirin shqiptar pranë Strugës. Prioritet i dytë është përfundimi i korridorit 8 nga Kumanova deri në kufirin bullgar afër Kriva Pallankës ku tashmë ndërtohet rrugë ekspres nga Rankovca në Kriva Pallankë dhe korsi e tretë nga Kriva Pallanka në kufirin me Bullgarinë. Prioriteti i tretë, shton ai është korridori 10d që është një zgjidhje midis Prilepit dhe Manastirit.
“Kjo do të thotë se nga korridori 10 i cili tashmë ekziston drejt Selanikut do të mund të shkohet direkt në pikën kufitare Mexhitlia përmes rrugës së re ekspres dhe zgjerimit të Pletvarit”, ka thënë Kovaçevski.
I pyetur nëse mendon se është zgjedhur si duhet mbikëqyrja e autostradave që do t’i ndërtojnë Behtel dhe Enka pasi Prokuroria ka hapur lëndë për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d, kryeministri tha se tashmë është përgjigjur rreth asaj pyetje gjatë javës së kaluar në konferencën për shtyp dhe dje gjatë përgjigjes së pyetjes së gazetarëve si dhe në mbledhjen e Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve.
Duke marrë parasysh se kishte informacione për parregullsi eventuale, kryesisht nga opozita, sipas tij madje të gjitha institucionet që kanë kompetenca duhet ta kontrollojnë tërë projektin.