Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore”, Ejup Rustemi ka qenë i ftuar në “10 Minuta” në TV21.
Tregoi se gurthemeli për ndërtimin e Korridorit 8 do të hidhet në Tetovë, më 4 prill.
Korridori 8 dhe 10D do të përfshijë 4 seksione, të cilat pritet të përfundojnë së ndërtuari më 31 dhjetor 2027.
Seksioni i parë përfshinë rrugën Tetovë – Gostivar, për të cilën siç tha Rustemi fillimisht do të ndërtohet një rrugë e re në të cilën do të zhvendoset komunikacioni, pastaj rruga aktuale do të zgjerohet në autostradë.
“Aksi Tetovë – Gostivar është i gjatë 17.5 kilometra në të cilën do të kemi zgjerimin e trasesë momentale. Dua të njoftoj opinionin se së pari do të kemi ndërtimin e një rrugë ndihmëse, paralele që komunikacioni do të hidhet në atë rrugë dhe pastaj do të fillojë zgjerimi dhe ndërtimi i autostradës me parametra evropianë”, tha Rustemi.