3.8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKy është raporti i plotë i DASH për Kosovën

Ky është raporti i plotë i DASH për Kosovën

Dje DASH ka publikuar raportin vjetor për Kosovën. Është përmendur korrupsioni, mungesa e transparencës së Qeverisë, dhuna, rasti i mostrave të Astrit Deharit, dënimi i Salih Mudtafës nga Gjykata Speciale në Hagë. Në raport flitet edhe për vrasjen e gruas shtatzënë nga ish-burri i saj në oborrin e QKUK-së…

Korrupsioni serioz qeveritar dhe mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej probleme më serioze në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën.

Probleme tjera në raportin për vitin 2022 përfshijnë edhe format tjera të dhunës, si dhe krime apo kërcënime ndaj minoriteve etnike e grupeve tjera të margjinalizuara.

Teksa e ka publikuar raportin, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se raportet e publikuara për një pjesë të mirë të vendeve të botës demonstrojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar të drejtat e njeriut në botë.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në Qeveri

Në raportin për vitin 2022 përmendet që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.

“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me këtë problem”, është thënë në raport.

Aty është përmendur se disa raste të korrupsionit janë apeluar vazhdimisht dhe se sistemi gjyqësor, me raste, e ka lejuar skadimin e afatit të parashkrimit të rasteve.

“Në dhjetor të vitit 2021, Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka identifikuar 11 raste të korrupsionit që kanë rrezikuar parashkrim; në janar shtatë nga këto raste kanë skaduar për shkak të parashkrimit”.

Në raport janë përmendur edhe Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, si përgjegjëse për luftim të korrupsionit qeveritar.

“Deri në shtator, Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar 29 opinione për raste specifike që potencialisht kanë qenë konflikte interesi dhe aktivitetet që në të ardhmen mund të përbëjnë konflikte interesi. Prokurorët kanë ngritur 150 aktakuza lidhur me korrupsionin dhe për 34 raste janë shqiptuar dënimet deri në tetor”.

Në raportin për vitin 2022 është përmendur, po ashtu, që organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe organizatat ndërkombëtare, kanë vënë në pah disa herë dështimet e sistemit gjyqësor për të ndëshkuar rastet e korrupsionit, prandaj shumë pak raste të zyrtarëve të lartë, të përfshirë në këto shkelje, kanë përfunduar me dënime.

Për më shumë, në pjesën për korrupsion, janë përmendur edhe dy hetime të mëdha korrupsioni në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Hetimet kanë rezultuar me arrestimin e 74 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, dy zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe 34 zyrtarëve të Policisë së Shqipërisë”.

“Më pas, në shtator, tre zyrtarë policorë janë dënuar me 15 deri në 30 muaj burgim për abuzim të pozitave të tyre, për pranim të ryshfetit dhe për ofrimin e ndihmës për kontrabandim mallrash në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në një pjesë të raportit përmendet që gjyqi i nisur më 2019 ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo ende nuk ka epilog.

Ai dhe tetë zyrtarë të tjerë të ministrisë janë akuzuar për abuzim të pushtetit, pasi dyshohet se kanë manipuluar me grante.

Diskriminimi dhe abuzimet shoqërore

Në pjesën për mungesën e hetimeve për dhunën me bazë gjinore, raporti përmend se rastet e tilla, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunime tjera, nuk raportohen shpesh nga viktimat, për shkak të stigmës shoqërore dhe mungesës së besimit në autoritete.

“Deri në shtator [të vitit 2022], prokurorët kanë hetuar 160 raste të dhunimeve dhe kanë ngritur 30 padi”.

Në raport përmendet rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar – një i rritur dhe katër të mitur.

“Në dhjetor, prokurorët kanë ngritur padi kundër të dyshuarve, duke i akuzuar me trafikim të personave, përdorim i shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit dhe pornografi fëmijësh”.

Më pas, është përmendur edhe vrasja e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në muajin nëntor.

I dyshuari, burri i saj, i ka ikur arrestimit dhe ka kryer vetëvrasje dy ditë më vonë.

“Policia e ka konfirmuar se viktima më parë ka raportuar për dhunë në familje dhe ka qenë në mbrojtje policore”.

Në raport konkludohet, po ashtu, se më pak gra mbajnë pozita udhëheqëse në biznese, polici apo qeveri.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka raportuar se gratë janë shpesh subjekte të praktikave diskriminuese të punësimit, si dhe të formave të diskriminimit, përfshirë ngacmimet seksuale në vendin e punës, si në sektorin publik, ashtu edhe atë privat”.

Sipas gjetjeve të raportit, gratë në Kosovë “janë të nënpërfaqësuara në tregun e punës, pasi, vetëm një në pesë gra është pjesë aktive e tregut formal të punës.

Rasti Dehari

Në këtë raport që përshkruan zhvillimet në vitit 2022, përveç kritikave për korrupsion e mostransparencë, përmendet edhe rastin i Astrit Deharit, aktivist të LVV-së. Në raport e tyre, DASh përmend se hetimet për rastin Dehari, nëse i njëjti është vetëvrarë apo vetëvrarë, po vazhdojnë ende.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të Partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm në parlament. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e Partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik”, shkruan DASh.

Tutje, aty përmenden edhe zhvillimet fundit në lidhje me këtë rast, si p.sh. zhdukja e mostrave të gjakut e urinës.

“Në gusht, familja e Deharit pohoi se kishte prova se Dehari ishte sulmuar para vdekjes së tij dhe kërkuan zëvendësimin e prokurorit kryesor. Në shtator, një raport i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë zbuloi se zyrtarët kishin qasje të pahijshme dhe kishin ndarë regjistrimet e kamerave nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, duke shkelur kërkesat për mbrojtjen e të dhënave. Si kundërpërgjigje, në shtator qeveria suspendoi ish-drejtorin e Departamentit për Operacione, Siguri dhe Transport të të Paraburgosurve, ish-drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Drejtësisë. Në dhjetor, ministri i drejtësisë njoftoi se mostrat e gjakut dhe urinës së Deharit ishin zhdukur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Më pas, Ministria e Drejtësisë pezulloi katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë zëvendësdrejtorin”, përfundon pjesa për rastin Dehari në raportin e DASh.

Rasti i Salih Mustafës

Raporti ka përmendur po ashtu ka përmendur edhe dënimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Mustafa, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Cali”, u dënua për veprën penale të torturës, vrasjes së paligjshme dhe ndalim arbitrar.

“Në dhjetor Dhomat e Specializuara të Kosovës e shpallën fajtor ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Mustafa për krime lufte, duke përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen, të ndodhura në prill 1999. Dhomat e Specializuara e dënuan Mustafain me 26 vjet burgim. Një rast tjetër kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbetur në vazhdim”, thuhet në raportin e DASH-it.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments