4.6 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKurti flet për pranimin e planit evropian: Përmban një avancim drejt njohjes...

Kurti flet për pranimin e planit evropian: Përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ritheksoi të dielën se kishte qenë i gatshëm të nënshkruajë më 27 shkurt marrëveshjen themelore për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që sipas tij përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve.

Ai i bëri këto komente në një videomesazh drejtuar një Forumi të Universitetit të Manheimit në Gjermani, ku tha se shpreson që refuzimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të nënshkruante në Bruksel nuk është shenjë se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes.

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë më shumë bisedime.

“Ne besojmë se Marrëveshja themelore mes Kosovës dhe Serbisë përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e pakicave në të dy shtetet. Siguria dhe paqja në rajon e Evropë është mese e nevojshme. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përparim edhe përkundër sfidave të mëdha”, tha të dielën kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin Ohrit për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha gjatë një vizite në Prishtinë të enjten dhe të premten se “që të bëhet dokument ligjërisht i detyrueshëm duhet pajtim për zbatimin e tij. Duhet ditur cilët janë hapat, ritmi dhe afatet kohore”.

Zoti Lajçak nesër dhe pasnesër pritet të qëndrojë në Beograd për të diskutuar me presidentin serb për bisedimet e 18 marsit.

Presidenti serb, tha në prag të takimit më zotin Lajçak se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës. Ai tha se do të bisedojë me zotin Lajçak dhe do të shkojë në Ohër por nuk e ka të qartë se për çfarë të flitet atje.

Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë thënë se janë paralajmëruar nga diplomatët perëndimorë se mund të përballen me sanksione në rast të refuzimit të planit evropian./VoA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments