Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi i pyetur në lidhje me mundësitë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në ose me deputetët e grupit të zjarrit të BDI-së, u shpreh se një vit më parë në Kongresin e partisë, ka deklaruar se ata nuk kanë miq ose armiq politik.
“Për ne ka bashkëpunëtorë të mundshëm, nëse biem dakord për qëllimet strategjike, për përcaktimet programore ose për temat politike. Prandaj për ne secili është bashkëpunëtor potencial. Por, për momentin, nuk ka asgjë konkrete në lidhje me bashkëpunimet e mundshme”, ka thënë Afrim Gashi, kryetari i Alternativës për Press24.
Ai ka shtuar se presin që VMRO-DPMNE të ulë tonin nacionalist nëse dëshiron që të ketë partnerë shqiptarë, por kjo, sipas tij, është përsëri punë e tyre.
“Për partitë ose fraksionet e tjera opozitare shqiptare do të duhet të shihet se cilat janë pritjet, përcaktimet dhe angazhimet e tyre. Nuk ka kurrfarë urgjence. Megjithatë, secili e di çmimin e fjalës së vet”, ka thënë Gashi.
Gashi ka shtuar se nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me asnjë, atëherë ata janë të gatshëm edhe të ecin vetëm, ngase shton ai “për ne nuk është gjëja më e rëndësishme nëse jemi në pushtet ose në opozitë, por ajo çfarë përfaqësojmë dhe për çfarë luftojmë ne”.