Agjencia e njohur ndërkombëtare, Associated Press, zbardh detaje nga takimi i shumëpritur mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Agjencia shkruan se takimi i sotëm do ketë për bazë diskutimi një plan të përbashkët evropian për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Një burim i lartë evropian tha për agjencinë se të dy liderët kanë rënë dakord në parim me planin.
“Në takimet në Bruksel, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të diskutojnë mënyrat për të vënë në veprim propozimet evropiane.
Të dy udhëheqësit e kanë diskutuar tashmë planin, i cili nuk është bërë publik, dhe zyrtarët e BE-së janë të sigurt se do ketë progres.
Një zyrtar i lartë i BE-së, tha para bisedimeve se ‘ne duhet të thyejmë rrethin vicioz të krizës’. Ai tha se propozimet ‘nuk janë fundi i rrugës’ kur bëhet fjalë për normalizimin e lidhjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, por duke pasur parasysh tensionet e fundit, plani i BE-së është ‘maksimumi i arritshëm në këtë pikë’.
Zyrtari i informoi gazetarët me kusht që të mos përmendej emri për shkak të natyrës shumë të ndjeshme të takimeve.
Bisedimet e mëparshme mes Vuçiçit dhe Kurtit kanë degjeneruar në argumente dhe akuza të ndërsjella, por këtë herë, të dy liderët tashmë i kanë miratuar propozimet ‘në parim’, tha ai”.
© SYRI.net