Problemi i qenve endacak dhe sulmet ndaj banorëve po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërkohë që autoritetet si duket kanë ngritur duart. Nga janari, e deri më sot, vetëm në qytetin e Tetovës, ka pasur 14 kafshime nga qentë endacakë, ndërsa në dhjetëra raste qytetarët kanë pësuar lëndime të rënda trupore gjatë ikjes nga qentë endacakë.
Nga komuna e Tetovës ankohen qentë endacakë po dërgohen nga qytete tjera.
“Deri tani janë kapur 42 qen endacakë dhe janë trajtuar dhe mendojmë që deri në fund do përmbushet numri i caktuar. Kemi dyshime serioze se po sillen qen edhe nga jashtë territorit të Tetovës andaj apelojmë që secili që sheh një gjë të këtillë të bashkëpunojë me komunën.
Nga Policia nuk kemi asnjë informatë dhe asnjë bashkëpunim as me policinë dhe as me institucionet tjera që duhet të bashkëpunojnë me ne”, tha Albi Qamili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë hedh poshtë pretendimet e komunës.
“Është një frazë e përditshme që jemi mësuar ta dëgjojmë, kështu që, në çdo komunë në çdo qytet thonë se sillen nga qytetet e tjera por assesi në ndonjë qytet të vendit të pakohet numri i qenve endacakë.
Andaj raste të këtilla nuk ka pasur të raportuar as nga qytetarë e as nga zyrtarë komunal deri më sot.
Le të urdhërojë para kamerave ta thotë ndonjë person që ka bërë raportimin në polici dhe që nuk është ndërmarrë masa”, u shpreh Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB-Tetovë.
Një ditë më parë një vajzë pësoi keq nga sulmi i qenve endacakë. Prindërit e vajzës u ankuan për trajtimin e saj në spital.
Për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë në nivel të Pollogut, nga organizatat e huaja vit më parë u ndanë mbi 350.000 euro, por vetëm shkaku i mos gjetjes së lokacionit për ndërtimin e strehimores rajonale për qentë endacak, bëri që projekti të dështojë./Alsat.mk