6.7 C
Tetovo
E hënë, 24 Shkurt, 2025
BallinaLajmeEULEX kërkon kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

EULEX kërkon kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

REL

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), tha se pavarësisht se ka rritur patrullimet, nuk mund të mbushë vakumin e krijuar nga dorëheqjet e policëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ky mision tha se kthimi i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër serbë – që paraqitën dorëheqje në muajin nëntor – është “esencial”.

“EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial” – tha EULEX.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave, nga ato ilegale serbe, në RKS- Republika e Kosovës.

Që atëherë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave po ashtu u ka bërë thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës, të cilat kanë mbetur bosh pas dorëheqjeve të paraqitura në nëntor.

EULEX po ashtu tha se mirëpret uljen e tensioneve në veri dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes pas heqjes së barrikadave.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments