Nuk funksionoj nën presion dhe shantazhe, ndërsa zgjedhjet do të mbahen në 2024. Kështu kryeministri iu përgjigj kushtëzimeve të kryetarit të Besës, Bilal Kasami, i cili për të votuar ndryshimet kushtetuese kërkoi zgjedhje të parakohshme. Kovaçevski tha se ndryshimet kushtetuese janë çështje shtetbërëse duke shtuar se ai që është kundër këtyre ndryshimeve, njëkohësisht është edhe kundër anëtarësimit në BE, çështje që është drejtpërsëdrejti e lidhur me hapjen e klasterëve. Andaj, Kovaçevski tha se kushtëzimet për këtë çështje janë të papranueshme dhe bëri apel për konsensus të gjerë.
“Unë nuk funksionoj nën presione. Kjo është kështu që nga dita e parë, njëjtë është edhe sot. Zgjedhje do të ketë në 2024, dhe kjo çështje tashmë është e mbyllur. Çështja për ndryshimet kushtetuese është serioze, kjo është çështje shtetbërëse, për shkak se kjo do të thotë rrumbullakimi i procesit të hapjes së klasterëve të procesit të filluar të negociatave me BE.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër. Bilall Kasami dje tha se përkrahjen dhe votimin e ndryshimeve kushtetuese do ta kushtëzojë me kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse ka vullnet që të zgjidhen problemet dhe çështjet në pjesën e integrimit, shpresoj se do të mund të merremi vesh edhe për ndryshimet kushtetuese, tha kryetari i Besës, Bilal Kasami. “Nëse pushteti do që të bashkëpunojë në pjesën e ndryshimeve kushtetuese, kjo do të thotë se duhet të ulet në tryezë të përbashkët që të arrijmë konsensus për të gjitha çështjet, duke i përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme. Nëse prioriteti i pushtetit është ndryshimi i Kushtetutës dhe futja e bullgarëve në të si atëherë duhet të arrijmë kompromis në pjesën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të thotë se pushteti nëse do që t’i realizojë ndryshimet, patjetër se duhet të ofrojë diçka, e kjo gjë janë zgjedhjet e parakohshme.”- pohoi Bilal Kasami, Kryetar i Besës.
Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili vazhdimisht kërkon mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, ditë më parë tha se ato duhet të ndodhen sa më shpejtë që është e mundur, ndërsa mënyra më optimale që ato të ndodhin është në pranverë. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe nënkryetari i partisë, Timço Mucunski i cili në një farë mënyre paralajmëroi zgjerim të bilokut opozitar me Besën, përkatësisht paralajmëroi përkrahje të protestave, me qëllim që të realizohet kërkesa e tyre për zgjedhje të parakohshme.