Italia beson se nuk përbën shumë ndryshim nëse raketa që shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës në Poloni nuk ishte ruse, pasi Moska duhet fajësuar për sulmin ndaj infrastrukturës në Ukrainë.
Kështu është shprehur të mërkurën kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, raporton Reuters.
Duke folur me gazetarët në samitin e G20 në Bali, Meloni tha se lidhur me situatën, ka diskutuar me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.
“Fakti që raketa e cila ra mbi Poloni nuk ishte ruse por ukrainase ndryshon shumë pak pasi Rusia është fajtore për atë që po ndodhë në Ukrainë”, ka thënë ajo.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, organizoi mëngjesin e së mërkurës një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.
Sipas Reuters, duke cituar burime të NATO-s, Bideni u dha aleatëve informacione paraprake për atë që ndodhi.