-3 C
Tetovo
E hënë, 13 Janar, 2025
BallinaLajmeGrida Duma lë mandatin e deputetes: Politika e llumit goditi tim bir,...

Grida Duma lë mandatin e deputetes: Politika e llumit goditi tim bir, pengu im i ditës së fundit…

Demokratja Grida Duma ka lënë mandatin pas pesë vitesh si deputete e Kuvendit të Shqipërisë në Partinë Demokratike.

Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Grida njoftoi se ka dorëzuar zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes.

“Pak çaste më parë, kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, reflektim i cili vjen pas një përpjekje edhe më të gjatë, për të bërë të duhurën për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është në fakt vendimi i duhur.

Unë mendoj që në politikë, fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe të rimendohen vetëm kur ato shkojnë në një kahje me fatet e vendit me fatet e njerëzve, me fatet e votuesve që ne përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse e kanë bërë shpesh të kundërtën. Pikërisht sepse fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni i vetëm të cilit i përgjigjem, nuk mund të zgjidhja më të thjeshtën dhe vetëm për veten time. Më e thjeshta, për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja mos ndodhin dështimet që disa i parashikojnë siç edhe e di që ka nga ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur t’i ndrijë prap pazareve. Mund edhe të qëndroja thjesht për të mbijetuar e bëjnë shumë, duke thjesht vegjetuar, mund edhe të bëja sikur nuk e shoh thellësinë e problemeve të brendshme dhe shitjen e herë pas hershme në luftën e jashtme, por unë shumë vite në politikën e vijës së parë, nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë e as betejës, e madje kam qenë para jush duke mbrojtur edhe betejat për të tjerët.

E vërteta është që nuk i jam larguar përgjegjësisë edhe kur politika më ka prekur të paprekshmen. Më ka cënuar sinore të paprekshme, kur më kanë goditur personalisht, mizorisht, mjerisht. Më kanë goditur personalisht edhe unë e di pse, sepse nuk gjetën dot në kaq e kaq vite, një aferë korrupsioni, një pazar pushteti, një ndyerje duarsh në përfitime, dhe pikërisht sepse nuk i gjetën jam sulmuar nga hienat me intriga të pacipa që të më brejnë personalisht. Ndoshta për vete e kam ditur që do ta paguaj këtë kosto në një vend si i yni kaq larg zhvillimit etik, por sot do t’ju them një gjë që shpesh e kam evituar ta them në media. Sot do t’iu them që ka një gjë që nuk do t’ia fal kurrë politikës së llumit. Që ndoshta do të jetë pengu i ditës time të fundit të jetës, ky peng është fakti që goditja që më bënin mua nën brez, godiste pandërprerë më thellë, më shumë shpirtërisht, tim bir.

Nuk e kam falur kurrë, nuk do t’ia fal kurrë, as do t’ia harroj këtë politikës së llumit! Mbetem gjithmonë me ngushëllimin që së paku këto goditje për të të kenë qenë një mësim, nëse mund të fitohet nga e keqja, për të mos u gënjyer nga fytyrat e rrejshme të kllounëve që do t’i shfaqen shumë në jetë, siç më janë shfaqur mua, të cilat herë pas here dalin edhe me fytyrën e ngrirë, politikisht korrekte sikur po shpikin rrotën dhe shfaqen me amoralitetin e atyre që kanë vetëm një aurë gogsimash moralitetesh. Do t’i shfaqen shumë siç do na shfaqen shpesh në vendin tonë në tranzicion edhe atij fytyra shumëfrymëshe që ndoshta do të duken sikur do buzëqeshin, por do zgërdhihen dhe janë zgërdhierje të atyre të korruptuarëve të nginjur që në një mënyrë apo një tjetër, ndërsa mballicin pazaret e veta, stërkalat e pështymës na bien të gjithëve si bejte ndershmërish e pastërtisë”- tha ndër të tjera Grida Duma.

Duma ka mbajtur postin e Zëvendësministres e Integrimit të Republikës së Shqipërisë nga tetori 2011 deri shtator 2013 në kabinetin Berisha.

Në vitin 2014 ajo u votua si  Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Ndërsa në 2017 u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për tu rizgjedhur si deputete më 25 prill 2021 me 8.7 mijë vota.

top chanel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments