Pas dy viteve me mësim online dhe me një ceremoni solemne Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot priti 700 studentët e rinj, të cilët duke filluar nga sot do tu bashkangjiten 3000 studentëve aktual, në 5 fakultetet e UNT-së me 24 programe studimore.
Rektori i UNT-së Prof.Dr. Izet Zeqiri i cili priti studentët e rinj në dy objektet ku zhvillohen ligjeratat, u uroi atyre mirëseardhje dhe suksese gjatë katër viteve e ardhshme të studimeve.
‘Ju sot filloni një kapitull të ri në jetën tuaj, dhe ne do të jemi në shërbimin tuaj. Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup është i vetmi universitet publik në gjuhën shqipe në kryeqytet, ndërsa programet studimore i ka të gjitha deficitare, që ju mundëson punësim më të shpejtë pas diplomimit, prandaj ju duhet maksimalisht ta organizoni kohën tuaj, që të përfitoni sa më shumë dije dhe praktikë’ – porositi rektori Zeqiri studentët e rinj.
‘Stafi ynë është i përkushtuar për të mbështetur studentët tanë në çdo fazë të rrugëtimit të tyre arsimor. Kemi siguruar një mjedis frymëzues, të qetë, stimulues dhe intelektualisht sfidues për studentët tanë. Ne përpiqemi të përmbushim të gjitha nevojat e studentëve për të mësuar përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për të nxjerrë më të mirën në secilin prej tyre’, – tha Zeqiri.
Rektori Zeqiri theksoi rëndësinë që kanë studentët e sotëm për zhvillimin e shoqërisë në të ardhmen, e cila është në familjen e madhe europiane, ku do të jenë në konkurrencë të madhe me kombet që përbejnë BE-në.
Gjatë fillimit të vitit të ri akademik, studentët u njoftuan me pedagogët e tyre, ndërsa gjatë ceremonisë u ndanë edhe indeksat e parë të gjeneratës së tyre.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup funksionon në dy objekte, me mbi 3500 studentë. Në kuadër të tij funksionojnë 5 fakultete dhe atë: Fakulteti i Shkencave të Informatikës, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
Nga viti i ardhshëm akademik, UNT do të ketë edhe tre fakultete të reja, Fakultetin e Shkencave Humane, Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, ndërsa do të zhvendoset në objektet e reja në ish-kazermën Ilinden në Shkup.