Disa nga komunat kanë shpenzuar një shumë të konsiderueshme parash për faturat e shërbimeve komunale për gjysmë viti. Në anën e të hyrave, përqindja e mbledhjes së tatimit në pronë ndryshon, të pakta janë komunat që për gjysmë viti e kanë mbledhur gjysmën e shumës së planifikuar për të gjithë vitin, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Në vazhdimin e dytë, “Portalb”-i publikon të dhëna për Likovën, Sarajin, Çairin, Strugën, Tetovën, Studeniçanin…
Komuna e Likovës në gjysmën e parë të vitit, sipas të gjitha bazave të transfereve shtetërore, ka marrë një shumë prej 2,7 milionë euro. Kjo komunë në bazë të tatimit në pronë ka realizuar të hyra prej 81.850 euro, që paraqet 48% në raport me mjetet e planifikuara mbi këtë bazë për tërë vitin. Në anën e shpenzimeve, kostoja më e lartë janë rrogat dhe kontributet, kështu që vetëm për rroga për gjysmë janë shpenzuar 1,3 milionë euro dhe 532 mijë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Kjo komunë ka ndarë një shumë më të lartë prej 600 mijë euro për “punë të tjera ndërtimore” dhe 61 mijë euro janë shpenzuar për “blerje automjetesh”.
Edhe në komunën e Strugës pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë transferet nga të gjitha nivelet e pushtetit, ku për gjashtë muaj janë arkëtuar gati 5,4 milionë euro. Komuna ka mbledhur vetëm 455 mijë euro nga tatimi në pronë për gjysmë viti, që është 36,3% krahasuar me planin për tërë vitin. Komuna e Strugës në gjysmën e parë të vitit ka shpenzuar 3,5 milionë euro për pagesën e rrogave dhe 1,4 milionë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Shuma të larta ka edhe për zërat “punime të tjera ndërtimore” me një shumë prej 605 mijë euro dhe për “transfere të ndryshme” me 445 mijë euro. Për shpenzime ditore për udhëtime për gjysmë viti janë shpenzuar 25 mijë euro, që do të thotë se mesatarisht janë shpenzuar 6 mijë euro në muaj. Në bazë të “shërbimeve kontraktuale” për gjysmë viti, nga arka e komunës janë derdhur 250 mijë euro.
Komuna e Studeniçanit në gjashtëmujorin e parë të vitit, nëpërmjet transfereve nga të gjitha nivelet e pushtetit, ka pasur të ardhura prej 1,4 milionë euro. Nga tatimi në pronë kjo komunë ka mbledhur vetëm 56.600 euro, që paraqet 38% krahasuar me planin për tërë vitin 2022. Në anën e shpenzimeve për rroga janë ndarë 860 mijë euro dhe 350 mijë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Një shumë më e madhe prej 180 mijë eurosh është shpenzuar për “punë të tjera ndërtimore”, ndërsa faturat e shërbimeve komunale për gjysmë viti kanë kushtuar 100 mijë euro.
Komuna e Tetovës në gjashtë muajt e parë të vitit në bazë të transfereve ka marrë 9 milionë euro. Kjo komunë është një nga komunat me borxh më të madh në vend, për të njëjtën periudhë ka pasur detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 14,1 milionë euro. Për gjashtë muaj, në bazë të tatimit në pronë kjo komunë ka realizuar të hyra prej 1 milionë euro, që paraqet 50% në raport me të ardhurat e planifikuara mbi këtë bazë për tërë vitin kalendarik. Në llogarinë e komunës janë derdhur edhe 400 mijë euro në bazë të “donacioneve nga jashtë”, ndërsa komuna ka mbledhur 205 mijë euro nga taksat dhe kompensimet. Vetëm për pagesën e rrogave në gjashtëmujorin e parë janë shpenzuar 5,6 milionë euro dhe 2,4 milionë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Faturat e shërbimeve komunale kanë kushtuar 435 mijë euro, për shpenzime ditore për udhëtime janë shpenzuar 151 mijë euro, kurse për shërbime kontraktuale gati 700 mijë euro. Për blerjen e automjeteve janë shpenzuar gati 270 mijë euro. Në bazë të “punëve të tjera ndërtimore”, nga arka e komunës janë derdhur 450 mijë euro.
Komuna e Shkupit Saraji , në bazë të transfereve nga nivelet e pushtetit ka marrë një shumë prej gati 2,6 milionë euro. Komuna ka mbledhur 195 mijë euro nga tatimi në pronë për gjysmë viti, që është një realizim prej 62,6% krahasuar me planin për tërë vitin. Nën anën e shpenzimeve janë shpenzuar 1,5 milionë euro për rroga, ndërsa 624 mijë euro për kontribute dhe kompensime. Për pagesën e faturave për shërbimet komunale janë shpenzuar 388.000 euro, kurse 105,000 euro për shërbime kontraktuale.
Komuna e Çairit ka marrë 4,2 milionë euro nga transferet nga qeveria. Kjo komunë ka mbledhur 581 mijë euro nga tatimi në pronë për gjashtë muaj, që është 49% krahasuar me planin për tërë vitin 2022. Për pagesën e rrogave janë shpenzuar 2,7 milionë euro, ndërsa 1,1 milion euro për kontribute dhe kompensime. Komuna e Çairit ka shpenzuar një shumë më të madhe prej 730.000 euro për shërbime komunale, 471.000 euro për shërbime kontraktuale dhe 87.000 euro të tjera për punësime të përkohshme.
Nga analiza e të dhënave për shpenzimet buxhetore në nivel lokal nga Ministria e Financave rezulton se pjesa më e madhe e të hyrave janë transferet shtetërore, ndërsa pjesa më e madhe e shpenzimeve harxhohet për rroga, kontribute dhe komnpensime, kurse një pjesë e komunave përveç rrogave për punonjësit e rregullt, kanë angazhuar edhe punonjës të përkohshëm.