Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton vendimin për të zgjatur edhe me gjashtë muaj situatën e krizës energjetike në vend.
Autoritetet qeveritare sigurojnë se do të bëhen furnizime të nevojshme me energji elektrike dhe gaz dhe se do të vazhdojnë subvencionimet për kompanitë kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në mënyrë që konsumatorët t’i përballojnë më lehtë muajt e dimrit.Më herët Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ekziston mundësia që furzimimi me gaz të bëhet nga Serbia, nëse ajo arrin ta sigurojë me çmim më të lirë. Megjithatë kjo varet nga prodhuesi Gazprom që ka marrë me koncesion linjën e interkonjeksionin në Zhidilovë, tha kryeministri maqedonas.
Kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut janë kryesisht të bazuar në qymyr, i cili po ashtu është deficitar.
Krizës energjetike ka nxitur mjaft debate politike. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE akuzon qeverinë për shpërfillje e gatishmërisë së opozitës për të ndihmuar për zbutjen e saj. Ndonëse, qeveria ka siguruar konsumatorët se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike deri në fund të vitit, nga ana tjetër ka paralajmëruar se vendin e pret një dimër tejet i vështirë./VOA