4.7 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeRMV, shumica e gazetarëve nuk besojnë se gjyqtarët i mbrojnë mjaftueshëm

RMV, shumica e gazetarëve nuk besojnë se gjyqtarët i mbrojnë mjaftueshëm

Sot është prezantuar studimi “Qëndrimet dhe perceptimet e gazetarëve për transparencën e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut”, me autor Davor Pashoski, e publikuar nga SHGM-ja.

Analiza konstaton se rezultatet nxjerrin në përfundimin se shumica e gazetarëve besojnë se gjyqësori nuk kontribuon sa duhet në mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, pra gazetarët nuk ndihen mjaftueshëm të sigurt dhe nuk besojnë në hetimin efektiv ose ndëshkimin e sulmeve ndaj tyre. Mungesa e komunikimit ndërmjet gjykatësve dhe gazetarëve, si dhe mungesa e procedurave dhe rregullave të përcaktuara qartë për transparencën dhe marrëdhëniet me publikun, janë sfidat kryesore që pengojnë procesin e ndërtimit të partneritetit dhe bashkëpunimit të gazetarëve me institucionet gjyqësore.

“Një nga rekomandimet bazë është nevoja për të krijuar një komunikim më të lehtë dhe më të kuptueshëm ndërmjet gjykatave dhe publikut dhe marrëdhëniet me median. Të gjitha analizat, studimet dhe strategjitë që janë zhvilluar deri më tani ose që do të zhvillohen në të ardhmen dhe fokusi i të cilave është transparenca, llogaridhënia dhe publiku i gjyqësorit, janë të pakuptimta, nëse rekomandimet dhe konkluzionet e dhëna nuk i nënshtrohen një analize nga institucionet kompetente dhe nëse nuk janë subjekt i dialogut të hapur ndërmjet të gjitha palëve të interesuara. Procedurat dhe rregullat në fushën e transparencës dhe komunikimit të sistemit të drejtësisë me publikun duhet të inkorporohen në aktet që rregullojnë ligjërisht gjyqësorin”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.

Ngjarja e punës u mbajt në Gjykatën Penale në Shkup, ku ishin të ftuar gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

Në fillim autori prezantoi studimin dhe prezantoi pikat kyçe prej tij, duke theksuar se fokusi i analizës është komunikimi mes gazetarëve dhe sistemit të drejtësisë.

Mlladen Çadikovski theksoi nevojën e promovimit të bashkëpunimit të ndërsjellë mes gazetarëve dhe sistemit gjyqësor dhe deklaroi:

“Dëshiroj të theksoj se SHGM po punon vazhdimisht për të rritur potencialin dhe standardet e gazetarisë. Por vazhdimisht hasim pengesa në rrugë që e vështirësojnë procesin tonë të punës, sidomos kur përballemi me rrezikun e shpifjes. Si e dhënë do të theksoj faktin se këtë vit janë 52 raste të shpifjeve ndaj gazetarëve, krahasuar me vitin e kaluar kur numri ishte 20. Nuk po themi se gjyqtarët janë specifikisht fajtorë për këtë, por mendojmë se nëse bëhet fjalë për raste ndaj gazetarëve që ekzistojnë ekskluzivisht për të ushtruar presion ndaj tyre, të refuzohen. Analiza e tregon këtë deri diku, por kolegët që monitorojnë punën e gjyqtarëve thonë se ka një përmirësim të madh në punën e organeve të drejtësisë sa i përket komunikimit me gazetarët. Më shpesh shohim informime, postime në rrjetet sociale, informacione të dërguara në media, por gjithsesi besoj se ka ende hapësirë për bashkëpunim, ky është vetëm fillimi”.

Ivan Xholev, u.d. kryetari i Gjykatës Penale në Shkup tha në fjalën e tij: “Jam shumë i kënaqur që jemi të gjithë këtu, në një vend për të diskutuar ndryshimet që duam t’i sjellim bashkë. Shpesh herë si gjykatës ne reagojmë se informacioni nuk është pasqyrim publik i asaj që ndodh në sallën e gjyqit, cilat janë vendimet, por ka sensacionalizëm. Sigurisht, jo në të gjitha informacionet e transmetuara. Dua të theksoj dëshirën tonë si gjykatës për të përmirësuar marrëdhëniet me gazetarët, për të pasur komunikim të mirë, për të pasur informacione të sakta. Qëllimi ynë është që publiku të informohet saktë. Natyrisht, për këtë na duhet ndihma e gazetarëve dhe perceptimi i tyre për ne. Dua të theksoj se ne të gjithë jemi për transparencë, por ka pjesë të procesit gjyqësor, ose më mirë detaje të caktuara, të cilat sipas ligjit nuk mund të publikohen. Besoj se sot gazetarët do të kenë çfarë të thonë e të propozojnë dhe gjykatësit janë në disponim të dëgjojnë propozime për të lehtësuar punën e të dyja palëve”.

Me këtë fjalim përfundoi pjesa zyrtare dhe takimi i punës vazhdoi me një diskutim të përbashkët nga gjykatësit, prokurorët dhe gazetarët e pranishëm, ku u ndanë shembuj dhe sugjerime se si të kapërcehen pengesat me një qëllim – rrjedhjen e qetë të informacionit për publikun.

Folës ishin edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor-Mediatik, Dejan Ristovski, zëdhënësi i Gjykatës Themelore Penale Shkup, i cili ishte edhe moderator i ngjarjes, Davor Pashoski, autor i studimit dhe Verçe Todorovska-Kostovska nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Kjo ngjarje është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i lirisë së medias në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi” i financuar nga Mbretëria e Holandës dhe i zbatuar nga Komiteti Hollandez i Helsinkit dhe Free Press Unlimited në partneritet me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë. Pikëpamjet, opinionet, gjetjet dhe përfundimet apo rekomandimet e shprehura në këtë hulumtim janë tërësisht të autorit(ve). Ato nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Holandës, as organizatat që zbatojnë projektin apo partnerin e tyre lokal.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments