7.2 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeZëri i Amerikës / Zgjedhjet,Ilir Meta flet për komplot ndërkombëtar

Zëri i Amerikës / Zgjedhjet,Ilir Meta flet për komplot ndërkombëtar

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta u shfaq sot përpara publikut duke folur më tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadave perëndimore që sipas tij po e mbështesin atë.

Zoti Meta tha se më 30 Qershor shqiptarët “evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht dhe çdo cmim përplasjen civile”. Ai foli për një komplot bazuar sipas tij, në parimet e “Shtetit brenda Shtetit” që synon kapjen e Shtetii “jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera që vuajnë nga fenomeni i Shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme që janë një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”.

Prapa gjithë kësaj skeme, sipas zotit Meta, qëndron multimiliarderi George Soros dhe familja e tij, ndaj të cilëve ai kishte këtë qëndrim: “Ilir Meta nuk është i rracës së Gruevskit, është president i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Eshtë i rracës së Avni Rustemit dhe disa të tjerëve si Mic Sokoli, Vojo Kushi e të tjerë”.

Duke ju drejtuar kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 30 Qershorit, ai foli për një “turp e skandal, as 10 përiqnd nuk ka marrë, le të mbushin kuti tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist, tregon se çfarë reforme në Drejtësi po bën, nga Reformë e ka bërë Ramaformë. Këto janë gjëra të turpshme e skandaloze që nuk mund të ndodhin në një shtet të së drejtës e që do të anëtarësohet në BE. Për mua demokracia është e panegociueshme, nuk e negocioj me asnjë ambasdadë e asnjë shtet”.

Presidenti i vendit ishte i qartë në pozicionin e tij se zgjedhjet e 30 Qershorit ai nuk I njeh. “Zgjedhjet janë më 13 tetor. Dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Prandaj gjithë këto pallavra, KQZ-ra, rezoluta të Kuvendit socialist me opozitën e re të skandalit të unazës së re, dhe me Kolegjin socialist, nuk ka njeri që mund të vërë në diskutim këtë gjë, duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin”, u shpreh presidenti duke dhënë dhe propozimin e tij për kapërcimin e situatës. “Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje për presidentin, dhe unë do kandidoj si president, me këto kompetenca dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që nuk më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit që të mos na ndodh sërish 2 korriku”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments