Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj votimit të interpelancës së inicuar nga E Majta për shkarkimin e Ilire Dautit nga Komisioni Kuvendor për Politikë Sociale.
Sipas tyre ky veprim është tentativë e turpshme për të kaluar ligjin e “branitellave” me çdo kusht.
Nga BDI thonë se qeveria aktuale po punon për përjashtimin e shqiptarëve dhe hakmarrje, e jo për unitet dhe baraza.
Reagimi i plotë:
Shkarkimi i Ilire Dautit – Tentim i turpshëm për të kaluar ligjin e branitellave me çdo kusht
Shumica parlamentare ka ndërmarrë një akt të turpshëm dhe revanshist duke shkarkuar Ilire Dautin nga posti i Kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, vetëm pse ajo refuzoi të kalojë një ligj diskriminues që kompenson vetëm “branitellët” e vitit 2001.
Ky vendim nuk është asgjë tjetër veçse një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe një përpjekje për ta zhvlerësuar atë në çdo formë.
Qeveria aktuale, në vend që të punojë për unitet dhe barazi, po vepron me logjikën e përjashtimit dhe revanshit.
Ky është një mesazh i qartë se shqiptarët në këtë shtet shihen ende si qytetarë të dorës së dytë, dhe se sakrifica e tyre për barazi nuk do të njihet kurrë nga një pushtet i kapur nga nostalgjia për të kaluarën. VLEN, siç ka treguar edhe më parë, ka luajtur rolin e veglës së nënshtruar, përballë këtij akti të turpshëm.
Kjo dëshmon edhe një herë se ata nuk janë përfaqësues të interesave të shqiptarëve, por shërbëtorë të atyre që duan të minojnë të drejtat tona kolektive. I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të qëndrojnë të qetë, por të mos pranojnë me heshtje këtë padrejtësi.
Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin është ndërtuar paqja dhe stabiliteti në këtë vend, dhe çdo përpjekje për ta rrënuar atë është një kërcënim për të ardhmen tonë të përbashkët.
Kushdo që sot mendon se mund të fshijë të vërtetën historike dhe të rikthejë logjikën e dominimit etnik, duhet ta dijë se do të përballet me reagimin e fortë të shqiptarëve.