Me qëllim të bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile në mes të dy vendeve dhe lehtësimin e procedurës ligjore në këtë fushë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Aty është garantuar ndihmë juridike dhe lirim nga pagesa e taksave dhe shpenzimeve gjyqësore të qytetarëve. Të dy ministrat kanë theksuar se janë duke pritur vendimet e gjykatave për rastin e “Grupit të Kumanovës” dhe rastit “Monstra”, për mundësinë e ekstradimit dhe vuajtjes së dënimit në Kosovë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se kjo marrëveshje do t’iu shërbejë qytetarëve të të dyja vendeve.
“Ne si shtet jemi jashtëzakonisht të angazhuar që t’i fuqizojmë raportet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë. Andaj ky është nënshkrimi i parë i një marrëveshje dhe do të vijojmë edhe me Republikën e Shqipërisë njësoj… Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështje që përfshin procedurat në lidhje me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile apo tregtare të personave civil dhe juridik”, ka thënë Haxhiu.
Veç tjerash kjo marrëveshje sipas Haxhiut u garanton qytetarëve të palës tjetër mbrojtje juridike.
“Shtetasit e njërës palë që paraqiten si palë në procedurë gjyqësore në territorin e palës tjetër, kanë të drejtë për ndihmë juridike dhe janë të liruar nga pagesa e taksave dhe shpenzimeve gjyqësore nën kushte dhe nën masën e njëjtë sikurse shtetasit e asaj pale”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq tha se iniciativa për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, tregon përpjekjet për lehtësimin e procedurave për qytetarët e dyja vendeve.
“Shpresoj që ulja e kostove, ulja e procedurave, njohja e ndërsjellë e akteve të gjykatave tona do të kontribuojë në sistem më funksional dhe komunikim më të lehtë mes qytetarëve. Jam i bindur se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të vazhdojë me intensitet të njëjtë, posaçërisht në pjesën e drejtësisë, në këmbim të përvojave dhe përmirësimin në aderimin në BE, harmonizim më të lehtë të legjislacion evropian”, ka thënë Mariçiq.
Ministrja Haxhiu është pyetur edhe për mundësinë e ekstradimit të dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut të rastit “Monstra” dhe kosovarëve të “Grupit Kumanova” për të vuajtur dënimin në Kosovë.
“Sa i përket qytetarëve të Kosovës të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut, tashmë ky rast është në Gjykatën Supreme edhe si Kosovë, si shtet, si Ministri e Drejtësisë, presim që Gjykata Supreme të marrë vendimin me këtë çështje, e pastaj të veprojmë në përputhje me kërkesat e qytetarëve të cilët janë duke vuajtur dënimin por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Sa i përket rastit “Monstra”, rasti ende nuk është i formës së prerë. Rasti është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit, sapo të kemi vendimet e gjykatave pa dyshim që do të bëjmë të ditur vendimet tona”, ka thënë Haxhiu.
Edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka thënë se janë duke pritur vendimet e gjykatave, por që theksoi se do të bashkëpunojnë për të ndihmuar në mbrojtje juridike.