STOLTENBERG ME 29 AMBASADORË NË SHKUP

0
90

Pasditen e së dielës në Shkup vjen delegacion i lartë shumëanëtarësh nga NATO, i udhëhequr nga sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. I shoqëruar nga të gjithë 29 ambasadorët e vendeve anëtare, ai deklaron se vizita do të thotë porosi se Maqedonia është e mirëseardhur në Aleancë. Pritet që Stoltenberg nga nikoqirët në Shkup të kërkojë qëndrueshmëri në rrumbullkësimin e reformave të premtuara për përparim demokratik të shoqërisë.

Katër muaj pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, 13 nga 29 vendet anëtare e ratifikuan dokumentin në institucionet nacionale, ndërsa deri në fund të vitit pritet që procedura të kalojë edhe në vendet tjera. Në dhjetor, kur Aleanca shënon 70 vite nga themelimi i saj, pritet që Maqedonia në samitin e Londrës të ulet si anëtare me të drejta të plota. Mënjanimi i pengesës kryesore për këtë, marrëveshja e arritur për çështjen e emrit me Greqinë, i hapi dyert për plotësimin e kësaj ambicie dekadëshe të shumicës së qytetarëve në vend. Se është e mirëseardhur edhe nga vendet tjera, e konfirmon fakti që sonte në Shkup vjen përbërja e plotë e Këshillit Veri-atlantik, ose “qendra” e organizatës, siç e quajnë, e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, norvegjezi Jens Stoltenberg.

“Vizita jonë në Maqedoninë e Veriut jep sinjal të qartë – jemi të gatshëm t’u dëshirojmë mirëseardhje. Maqedonia e Veriut ka vend në tavolinën e NATO-s. Pres që të bisedojmë për përparimin tuaj, për reformat, për sundimin e së drejtës, për sigurinë, për sektorin e zbulimit dhe kundërzbulimit. Është e rëndësishme të vazhdojnë reformat ndërkohë që përgatiteni për anëtarësim me të drejta të plota” –theksoi sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg për MIA-n.

Nesër Këshilli Veri-atlantik do të mbajë mbledhje me përfaqësues të qeverisë, ndërsa Stoltenberg do të pritet edhe nga presidenti i shtetit dhe kryetari i Kuvendit. Përndryshe, në qendër të vëmendjes së Aleancës këtyre ditëve ishin planet për përmirësimin e sistemeve për zbulim dhe kundërzbulim dhe shkëmbimi i informacioneve midis aleatëve, kundër luftës hibride. Ky llogaritet të jetë përforcimi më i madh i sigurisë kolektive në Aleancë, pas Luftës së Ftohtë, sepse sipas Stoltenbergut, kërcënimet hibride janë të fshehta dhe është e rëndësishme të detektohen.

“Jemi dëshmitarë të sulmeve kibernetike gjithnjë e më të komplikuara dhe më të shpeshta kundër rrjeteve tona. Për këtë arsye është e rëndësishme të vazhdojmë me përforcimin e mbrojtjes sonë kibernetike. Biseduam edhe në lidhje me atë si t’i mbështesim më mirë aleatët. Tanimë kemi ekip ekspertësh të gatshëm t’u ndihmojnë aleatëve të cilët kërkojnë asistencë, në lidhje me sulmet hibride dhe kibernetike”-shprehet sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Gati 6000 ushtarë nga Bullgaria, SHBA-të, Britania e Madhe, Ukraina, Greqia dhe nga Maqedonia e Veriut në disa vende të Ballkanit Perëndimor për momentin marrin pjesë në stërvitje ushtarake në Evropën juglindore, me skenare të ndryshme. Qëllimi është të përmirësohen aftësitë operative të ushtarëve dhe përshtatja e njësive ushtarake. Ky është skenari i stërvitjes që do të organizohet në poligonin ushtarak Krivollak, me pjesëmarrjen e deri tani, numrit më të madh të ushtarëve amerikanë, rreth 1300. /Biljana Georgievska/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here