Shkarkimi i Metës, miratohet ngritja e Komisionit Hetimor

184

Në Shqipëri parlamenti miratoi sot në mbrëmje ngritjen e Komisionit të posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Shumica e majtë nisi procedurat kundër kreut të Shtetit pas firmosjes nga ana e tij të dekrett që anullonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 Qershor, duke e konsideruar si një akt antikushtetues. Nga ana e tij, Presidenti Meta, paraqiti sot një shpjegim të gjatë, duke i qëndruar vendimit të marrë e duke saktësuar se dekreti i tij është në fuqi e për pasojë zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe antikushtetuese

Shumica e majtë nuk vonoi me procedurat e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Kërkesa e firmosur fillimisht nga 55 deputetë të saj i kaloi Komisionit të Ligjeve i cili miratoi dhe një raport të posaçëm në mbështetje të nevojës për të vijuar, siç e parashikon Kushtetuta, me ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor. Pikërisht mbi këtë raport, parlamenti nisi pasditen e së hënës diskutimet të cilat zgjatën më pak se dy orë. Për shumicën, Kreu i shtetit ka konsumuar një seri shkeljesh kushtetuese, “duke cënuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit, duke u sjellë arbitrarisht me pushtetin si president në një Reublikë parlamentare, duke anulluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve, duke cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve apo dhe parimin sipas tyre të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”.

Në fjalën e tij kyreministri Edi Rama deklaroi se “Ilir Meta duhet hetuar e ndëshkuar deri në fund nga ky parlament dhe reagimi ndaj tij, si deputetë, duhet të jetë frontal, pa dallime politike, dhe në emër të kushtetutës e demokracisë parlamentare”. Sipas kryeministrit, presidenti Meta “nuk është më, thjesht kundërshtari i qeverisë, por armiku i hapur i vetë kushtetutës, jo thjesht frymëzuesi i ofensivës destruktive kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë, ai është armiku i vetdeklaruar i parlamentit. Ilir Meta është vetëm politikani i frikësuar nga reforma në drejtësi, ai është shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, i cili me shtrirjen e rrezes të agresionit të tij mbi miqtë e partnerët amerikanë e europianë, na turpëron të gjithëve, si deputetë dhe si qytetarë, si popull si shtet”.

Zoti Rama shkoi më tej kur e cilësoi kreu e Shtetit si “burim destabiliteti politik, institucional, rrezikshmërie shoqërore dhe komedie ndërkombëtare”, përpara së cilit “parlamenti nuk mund t’i lejojë vetes të mbyllës sytë. Shkarkimi i tij është një levizje me detyrim e përcaktim i këtij parlamenti dhe detyrim i çdo deputeti. Ai nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur atë”, u shpreh kryeministri.

Nga ana e tij presidenti Meta i parapriu seancës së sotme me një deklaratë të gjatë shpjeguese mbi qëndrimin e mbajtur prej tij. Kreu i Shtetit këmbënguli se dekreti i tij për anulimin e datës 30 qershor “është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj” duke saktësuar se “vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”.

Anëtarët e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, të emëruar nga shumica e cilësuan që në fillim një “akt të pavlefshëm” dekretin e zotit Meta dhe vijuan me përgatitjet e procesit zgjedhor, ndërsa aleatja e socialistëve, Partia e Unitetit Kombëtar ju drejtuar Kolegjit zgjedhore për të kundërshtuar Komisionin Qëndror. Kolegji i dha të drejtë këtij të fundit, duke arsyetuar në vendimin e tij se Presidenti nuk kishte kompetencë për të anulluar një datë zgjedhjesh.

Por sipas zyrës së kreut të Shtetit, Kolegji ka marrë vendim lidhur me marrëdhëniet e dy palëve të tjera ku Presidenca e Republikës nuk ishte përfshirë, ndërsa arsyetimin e tij e cilëson si “një përpjekje e shëmtuar, një truk procedurial për të krijuar publikisht një imazh të ndryshëm nga fakti, pasi vendimi që Kolegji Zgjedhori mori, nuk cenoi aspak Dekretin e Presidentit”. Për pasojë, sipas zotit Meta “e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Zoti Meta përsëriti dhe një herë propozimin e tij që më 13 Tetor, datn e re të dekretuar prej tij për zgjedhjet vendore, të zhvillohen dhe zgjedhjet e përgjithshme si dhe zgjedhje për presidentin e ri të vendit, ndonëse kjo e fundit do të kërkonte ndryshëm të Kushtetutës.

Në fund të seancës, ngritja e komisionit hetimor u miratua me 101 vota në favor dhe vetëm 6 kundër, duke paralajmëruar se shumica e cilësuar që nevojitet për miratimin e shkarkimit të tij nuk do të jetë një problem për shumicën. Komisioni hetimor do të ketë një afat 3 mujor, kohë brenda së cilës parashikohet që Gjykata Kushtetuese të jetë vënë në funksion, duke qenë se fjala e fundit i takon pikërisht asaj.