Partitë shqiptare kërkojnë që autoritetet kosovare ta shkarkojnë Ambasadorin Gjergj Dedaj

0
73

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj ditën e nënshkrimit të Protokollit për aderim në NATO, i ka uruar qytetarët e vendit me me një foto të deputetëve të BDI-së dhe liderit të tyre, Ali Ahmeti.

Ndaj këti veprimi kanë reaguar partitë shqiptare në vend si Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Lëvizja BESA.

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, ka kritikuar ashpër veprimin e ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, i cili uroi ratifikimin e Protokollit për aderim në NATO, duke publikuar një foto të deputetëve të BDI-së me kreun e kësaj partie, Ali Ahmeti. Aziri, akuzoi diplomatin kosovar se në këtë mënyrë po përçan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi që i njejti të shkarkohet me urgjencë nga institucionet e Kosovës.

“Asgjë nuk mbetet nga demokracia kur haptazi ambasadori i PDK-së në BDI shpreh simpatinë e tij! Kujtojmë ambasadorin se detyra e tij si diplomat është të punojë për mbështetje të interesit të Kosovës për shqiptarët e RVM-së, e jo e kundërta; mbështetja e interesave partiake të partive ku ai emërohet ambasador. Gjestin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj e konsideroj si përçarje ndër shqiptarët dhe për këtë shkak për ne ky diplomat është “a persona non grata” dhe i njejti duhet të jetë i shkarkuar!”, ka theksuar Aziri.

Ndërkaq, Orhan Murtezani, zëdhënës i Alternativës, për Zhurnal thotë se për këtë çështje duhet të prononcohet Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ai shprehet se Ambasadori e di mirë se integrimi i vendit në NATO nuk është meritë e veçantë partiake e asnjë partie dhe

“Kjo është çështje për të cilën do të duhej të prononcohet Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës, ndërsa ne jemi të bindur se Ambasadori e di fare mirë se integrimi në NATO nuk është meritë e veçantë partiake e asnjë partie, por kontribut i të gjithë shqiptarëve në vendin tonë, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe partiake”, ka deklaruar për Zhurnal, zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi për Zhurnal ka dekalruar se Ambasadori kosovarë përfaqëson shtetin e tij dhe jo ndonjë parti politike të Kosovës dhe për këtë shkak ai duhet të ruaj ekuidistancë me gjithë establishmentin politik në Shkup.

“Na gëzon fakti që në Kosovë kemi qeveri te re. Shpresojme që këto ndryshime së shpejti të reflektojnë edhe në diplomacinë Kosovare. Ambasadori i Kosovës përfaqëson shtetin e tij dhe jo ndonjë parti politike atje, rrjedhimisht ai duhet të ruaj ekuidistancë me gjithë spektrin politikë në Maqedoni e Veriut pa marrë parasysh preferencat e tij personale”, ka deklaruar për Zhurnal, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi.

Ndryshe, roli i ambasadorit nuk duhet të jetë selektiv, por përfaqësimi i shtetit në mënyrë dijitoze për të gjithë spektrin politik në vend. Dedaj edhe në shumë raste tjera, përmes postimeve dhe fotografive ka dëshmuar miqësinë e tij me BDI-në e Ahmetit, që në shumë raste ka anashkaluar partitë tjera shqiptare ne Maqedoninë e Veriut.