Opozita shqiptare kundërshton idenë për një njësi zgjedhore, por e mbështet idenë për lista të hapura

0
62

Partitë opozitare shqiptare janë kundër idesë për një njësi zgjedhore, por i mbështesin listat e hapura. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se disa muaj para zgjedhjeve, nuk ka kohë për ndryshime rrënjësore të modelit zgjedhor dhe për këtë propozojnë që në këtë periudhë kohore të korrigjohet pragu zgjedhor dhe për zgjedhjet e 12 prillit të zbatohen listat e hapura. Lidhur me një njësi zgjedhore, nga Aleanca thonë që ky model assesi s’mund ta ul për 9 apo 10 numrin e deputetëve shqiptarë, siç pohon BDI.

Edhe Lëvizja BESA mbështet listat e hapura, që duhet të kontribuojnë për demokratizim më të madh të partive.

Debati për kodin zgjedhor po zhvillohet tërësisht në drejtim të gabuar. Nëse duam të demokratizojmë skenën politike çështja e parë që duhet të imponohet janë listat e hapura preferenciale dhe kjo do rrit dukshëm kualitetin e përfaqësimit ndërsa Sa i takon propozimit për një njësi zgjedhore duke eliminuar listat e hapura kjo vlerësojmë se është i padrejtë për shqiptarët sidomos në kohë kur ende mirëbesimi institucional mes shqiptarëve dhe maqedonasve ka një diskrepancë të madhe. Ne si shqiptarë, nuk mund të besojmë se institucionet e këtij shteti kanë hequr mendësinë e qasjes selektive ndaj shqiptarëve dhe rrjedhimisht mund të dyshojmë se votimi në një njësi zgjedhore mund të dëmtojë përfaqësimin politik të shqiptarëve – thonë nga Lëvizja Besa.

Partitë shqiptare në pushtet mbajnë qëndrime të ndryshme. Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi thotë se modeli aktual i zgjedhjeve duhet të mbetet.

Sa i përket Kodit Zgjedhor dua të sqaroj se pavarësisht nëse dikush pajtohet ose jo nga përvoja e them se shqiptarëve nuk u konvenon një njësi zgjedhore, duhet të ngelin këto njësi zgjedhore të cilat me shumë mund i kemi arritur në bisedime, edhe pas Marrëveshjes së Ohrit edhe me Marrëveshjen e Përzhinës. E thjeshta pse nuk u konvenon shqiptarëve një Njësi zgjedhore është kjo, se me një njësi zgjedhore partia e parë që del merr 3-4 deputetë më shumë, partia e dytë po ashtu 2-3 e ne e dimë se në Maqedoni zakonisht partia e parë dhe e dytë dalin partitë maqedonase. Kërkesa decide e PDSH-së është që njësitë zgjedhore të nivelizohen në nivel të Republikës. Jo siç është Njësia zgjedhore numër 6 që ka shumicë absolute te shqiptarët të ketë 40 mijë votues më shumë se njësia zgjedhore numër 3. Këtu bëhet shkelja e numrit të deputetëve shqiptarë – deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Partia e Afrim Gashit mbron qëndrimin se me një njësi zgjedhore shqiptarët do të fitojnë dy deputetë më shumë.

BDI është kundër zbatimit të një njësie zgjedhore. Për të bllokuar Kodin Zgjedhor në Parlament, grupet parlamentare të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së dorëzuan 6000 amendamente. LSDM mbështeti propozimin e partive më të vogla për një njësi zgjedhore sepse sipas tyre, përveç partive të mëdha që do të humbasin, të gjithë të tjerët do të fitojnë.