Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani i dyshuar nga Prokuroria Speciale në lëndën “Pacienti” është marrë në pyetje nga prokurorët e Speciales në fillim të muajit mars. Në raportin 103 faqësh që publikoi Specialja për punën gjashtëmujore të këtij institucioni, sqarohet se për lëndën “Pacienti” është dhënë urdhëresë për zbatimin e procedurës hetimore kundër 15 personave, për shkak se ekzistojnë dyshime se kanë kryer vepër penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i autoritetit” sipas nenit 353 dhe të nenit 45 të kodit penal.
“Gjatë periudhës së raportit janë marrë më shumë veprime hetuese, gjegjësisht janë marrë në pyetje më shumë persona në cilësinë e dëshmitarëve, janë dorëzuar kërkesa për të dhënat tek më shumë institucione, me çka është siguruar dokumentacioni i nevojshëm. Pas kryerjes së shqyrtimit të dosjeve të lëndës, i dyshuari në fillim të muajit mars, është mbrojtur në pretendimet që janë pjesë në urdhrin për të kryer një hetim”, theksohet në raport.
Nga 15 shtatori i vitit 2018 e deri më 15 mars të vitit 2019 Prokuroria Speciale ka analizuar dhe përpunuar 476 249 sms porosi nga 834.374 sms sa ka qenë gjithsej. Sa u përket bisedave telefonike, nga 606.555 audio skedarëve që PSP-ja i ka në dispozicion, deri në përfundim të raportit, objekt i analizës ka qenë përmbajtja e 582.293 audio skedarëve, përkatësisht në përpunim janë 96% nga numri i përgjithshëm i audio skedarëve.
Gjatë këtyre gjashtë muajve PSP-ja ka hapur procedura para hetimore për 81 lëndë. Prej tyre, 14 lëndë kanë qenë të formuara me vetiniciativë, kurse 67 lëndë janë formuar në bazë të kallëzimeve prej parashtruesve tjerë. Duke i përfshirë 162 procedurat para hetimore aktive të hapura paraprakisht në PSP, prej të cilave me vetiniciativë janë formuar 122 lëndë, në periudhën raportuese në punë ka pasur gjithsej 243 procedura para hetimore.
Nga mjetet e miratuara për vitin 2018 në periudhën prej 15 shtatorit deri më 31 dhjetor të njëjtit vit, janë shpenzuar 76,4 milionë denarë, përkatësisht mjetet e shfrytëzuara janë 33,43%. Realizimi i përgjithshëm i buxhetit të miratuar për vitin 2018 është 195,3 milionë denarë. Në vitin 2019 janë realizuar 16,25% nga buxheti i përgjithshëm i cili është 228,6 milionë denarë. Ajnur Bafqari /SHENJA/