Zv.kryeministri Arben Fetai ka komentuar deklaratën e kreut të BDI-së Ali Ahmetit, të cilin e citon të ketë thënë se Maqedonia u gjet “pa asgjë” dhe u la me një kryeministër shqiptar.
“Deklarata e Ali Ahmetit, sipas së cilës Maqedonia u gjet “pa asgjë” dhe u la me një kryeministër shqiptar, është një përpjekje e ulët për të përvetësuar të gjitha arritjet e shqiptarëve dhe për të mohuar kontributin e figurave kyçe që ndërtuan rrugën e emancipimit politik dhe kombëtar. Një pretendim i tillë është jo vetëm shpërfillje e historisë, por edhe fyerje për të gjithë ata që sakrifikuan për të drejtat e shqiptarëve shumë kohë para vitit 2001”, ka shkruar Fetai.Tani, si do ta përtypin këtë poshtërim “Arbën Xhaferistët” që ndodhen brenda koalicionit me Ali Ahmetin, e dinë ata vetë. Të tillër që sot ndodhen brenda DUI-t duhet të kuptojnë se me këtë deklaratë, historia e tyre është mohuar, trashëgimia e tyre është zhvlerësuar dhe sakrificat e tyre janë shkelur me këmbë. Një qasje e tillë e Ali Ahmetit ngjan me atë të Enver Hoxhës, i cili pretendonte se historia fillonte me të. Por historia nuk fillon me një njeri të vetëm, dhe shqiptarët nuk do ta lejojnë përvetësimin e sakrificave të brezave të tërë për hir të një narrative të sajuar të momentit”, vijon reagimi i Fetait.
“T’ia tregojë ndokush Alisë që Maqedoninë e gjetën me plot shqiptarë, por e lanë me gjysmën e tyre në diasporë. Më keq akoma, diasporës ia mveshën etiketën e qytetarëve jorezidentë. Maqedoninë e gjeti me shqiptarë të lirë dhe e la me shumë shqiptarë në burgje si pasojë e rasteve të montuara nga pazaret e tij me Gruevskin. E kryeministri teknik, ai që Ahmeti e shet si “trashëgimi”, do të mbahet mend vetëm për qortimin e shqiptarëve në Tetovë me skena të çorroditura që i ngjanin një shpellari me kollare.
Nëse sot shqiptarët kanë më shumë të drejta, kjo nuk është meritë e një partie apo një individi, por rezultat i një procesi të gjatë politik ku kontributi i Arbën Xhaferit ishte thelbësor. Ishte Arbën Xhaferi ai që krijoi një platformë të qartë politike për shqiptarët, ndërtoi ura komunikimi me faktorët ndërkombëtarë dhe institucionalizoi kërkesat e shqiptarëve në një formë të pranueshme për të gjithë.
Ali, Maqedoninë nuk e le me më shumë, por me shumë më pak! Shqiptarët në burgje, gjuhën me përqindje, ekonominë buzë greminës, arsimin pa cilësi, shëndetësinë për kurim, kulturën për karikaturë mjerimi, e mbi të gjitha, shumë shtëpi shqiptare të boshatisura nga politikat tua. Dhe në fund, ta kujtojmë një gjë: ti nuk e le Maqedoninë, argati yt po – Artani. Ti je akoma këtu, aty ku e ke vendin, në opozitë. Mos ia bëni qejfin vetes duke menduar se e latë pushtetin me dëshirë. Jo, ju dëboi populli! Edhe pak muaj ju kanë ngelur për t’iu shporrur me rrënjë edhe nga pushteti lokal”, mbyllet reagimi i Fetait.