19.3 C
Tetovo
E hënë, 15 Shtator, 2025
BallinaLajmeZjarri në Trubarevë ngjall reagime: Opozita kërkon dorëheqje nga Aliu, Toshkovski dhe...

Zjarri në Trubarevë ngjall reagime: Opozita kërkon dorëheqje nga Aliu, Toshkovski dhe Mexhiti

Opozita fajëson qeverinë dhe ministrat e saj për situatën e pasigurtë ekologjike në kryeqytet. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe thotë se gjithmonë kur kryeministri Mickoski gjendet në situatë për të cilën nuk ka zgjidhje fajëson dikë tjetër. Ai kërkon dorëheqje nga ministrat Aliu dhe Toshkovski.

“Nëse ishte ashtu si thotë kryeministri, nëse vërtetë nëse ka kërcënime ose sulme hibride ose qendra të jashtme pushteti, atëherë duhej të mblidhej Këshilli i Sigurisë, ushtria të dilte në terren, të dilte ministri i Mbrojtjes, duhet të aktivizoheshin të gjitha shërbimet e sigurisë dhe të njoftohet NATO si partner strategjik. Asgjë nga kjo nuk ndodhi. Kryeministri nxirret me një dramë PR-i. Ministri i Shëndetësisë duhej të japë dorëheqje sepse i gënjeu qytetarët se ajri nuk është I ndotur. Si e dëshmoi këtë? Duhet përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Brendshëm i cili njoftoi se banorët duhet të evakuohen kurse askush nuk u paraqit në qendrën e kujdesit”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja u kundërpërgjigjën se Filipçe nuk ka kredibilitet për të biseduar për çfarëdo, duke i kujtuar tragjedinë në spitalin modular.

Opozita shqiptare përgjegjësinë e sheh te ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti dhe kërkon dorëheqjen e tij.“Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike, me erë plastike, goma e bateri të djegura, qytetarët prisnin informata, rekomandime dhe apel për mbrojtje. Por Mexhiti nuk doli para opinionit, nuk mori masa, nuk ofroi zgjidhje. Për të, më e rëndësishme ishte të shfaqej në aktivitete partiake, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Është paradoksale që Ministria që ai udhëheq është ajo që jep leje dhe ka obligim të kontrollojë objekte të këtilla. Por Mexhiti, në vend që të marrë përgjegjësi, fshihet pas justifikimeve të kota dhe tenton të shpikë fajtorë kujdestarë në BDI”, thonë nga BDI.

VLEN thotë se përgjegjës për dhënien e lejes së deponisë në Trubarevë është ish ministri i BDI-së Naser Nuredini.

“BDI sot po përpiqet t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, por qytetarët e dinë se kjo parti është fajtorja kryesore për katastrofën ekologjike që po përjeton Shkupi dhe e gjithë Maqedonia e Veriut. Bujar Osmani është në një situatë të vështirë kur filloi të fajësojë anëtarët e partisë së tij, në këtë rast ish-kolegun e tij Naser Nuredini. BDI është partia që dha lejen për funksionimin e objektit në Trubarevë, një vend për asgjësimin e mbeturinave që ndodhet në një zonë të populluar, menjëherë pranë qytetit të Shkupit”, njoftojnë nga VLEN.

Opozita thotë që pushteti aktual duhet të kontrollojë të gjitha deponitë e këtij lloji, të detektojë ata pa licencë dhe të parandalojë situatat e ngjashme në të ardhmen. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments