Aleanca për Shqiptarët e cilëson si urgjente zbatimin e një vetingu në gjyqësor. Kreu i partisë Ziadin Sela u bëri thirrje të gjithë aktorëve politik që të ulen dhe të punojnë seriozisht në përpilimin e një ligji për veting të cilin janë të gatshëm ta dorëzojnë në Kuvend edhe nëse partitë e tjera nuk i përgjigjen thirrjes së tyre, shkruan Alsat.
Si rezultat i një analize të bërë, partia e Selës radhit edhe një sërë rekomandimesh që kanë të bëjnë me gjyqësorin.
“Domosdoshmërish duhet zbatuar vetingu në drejtësi për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e kapur dhe të korruptuar. Ky proces do të kryhet nga një organ i pavarur i themeluar enkas për këtë arsye. Komisioni Evropian duhet të kryej vlerësime shtesë të shtetit të së drejtës, të udhëhequra nga ekspertë të pavarur, ngjashëm me Raportin e Pribesë. Duhet të themelohet një task forcë për reformën e gjyqësorit dhe për të bërë vlerësim gjithëpërfshirës të shkaqeve të kapjes së gjyqësorit”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.