Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në lidhje me emërimin e guvernatorit të ri të Bankës Popullore thonë se Kushtetuta e vendit e obligon shtetin të sigurojë shpërndarje të drejtë dhe përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në jetën publike. Bëjnë thirrje që të paktën të përfshihet një shqiptar në listën e ngushtë të kandidatëve për këtë pozitë.
“Më 21 maj pritet të votohet Guvernatori i ri i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut dhe askush më as që e përmend mundësinë që kjo pozitë t’i besohet një shqiptari. Sjellja është sikur kjo pozitë i takon ekskluzivisht maqedonasve etnikë dhe sikur kjo është punë e mbaruar paraprakisht. Në listën e ngushtë të katër kandidatëve aktualë, jo vetëm që nuk ka asnjë shqiptar, por ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë karakterin multietnik të shtetit. Edhe pse përzgjedhja ndjek procedura të qarta kushtetuese dhe ligjore duke kaluar përmes Presidentes dhe më pas Kuvendit përfaqësuesit politikë shqiptarë brenda shumicës parlamentare duhej të siguronin të paktën përfshirjen në listën e ngushtë të njërit prej ekspertëve shqiptarë të lartë të ekonomisë, të cilët ky vend i ka me bollëk”, thuhet në reagimin e BDI-së.