Në debatin virtual mes Arben Taravarit dhe Krenar Llogës është përfshirë edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai. Ky i fundit i ka reaguar ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili pas deklaratave të Taravarit në Daily Click në TV21 tha se pikërisht ai ka kërkuar shërbim për Gruevskin.“Krenar Lloga paska deklaruar se Arben Taravari i ka kërkuar shërbim për Gruevskin. Kjo nuk është asgjë më pak se një përpjekje kamikaze për të shmangur përgjegjësinë e tij personale për ndryshimin skandaloz të Kodit Penal — ndoshta akti më kriminal politik në historinë e vendit. Faktet janë të pamohueshme: Kodi Penal u ndryshua ndërkohë që Lloga ishte Ministër i Drejtësisë, dhe këto ndryshime u firmosën nga zëvendësministrja, me bekimin dhe aprovimin e tij të heshtur. Nëse nuk ishte dakord, ai duhej ta shkarkonte zëvendësministren ose thejsht të jepte dorëheqjen. Por, duke u fshehur pas zëvendëses së tij në mënyrë qyqare, Lloga tregoi se nuk ishte as udhëheqës i ministrisë së tij dhe as përfaqësues i drejtësisë. Krenar, nëse ke prova për pretendimet e tua, dil dhe tregoji! Dil burrë, sepse nuk mund të fshihesh përjetësisht pas manipulimeve. Shërbim më direkt dhe më të madh se ndryshimi i Kodit Penal, Gruevskit dhe Mijallkovit nuk u ka bërë as Grubi i listës së zezë amerikane”, ka shkruar Fetai.