Sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, për TV21 ka komentuar deklaratën e mbrëmshme të Ministrit të BDI-së Kreshnik Bekteshi i cili tha se krerët e dy partive të koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, shkojnë bashkë në takim të liderëve sepse kanë frikë ta lënë vetë njëri-tjetrin për shkak se nuk i besojnë njëri-tjetrit.
Ibrahimi thotë se liderët e partive marrin pjesë në takim te Presidenti ashtu siç janë të ftuar, duke i përfaqësuar subjektet e tyre dhe jo dëshirat e dikujt.
“Këngët legjendare ose, siç quhen ndryshe, këngë kreshnike janë ndër më të bukurat në melosin shqiptar, por duhet ta dini se ato janë imagjinatë e bardit popullor. Ndryshe Musa Qesexhiu do e fitonte kreshnikun Marko. Ne kemi mirëkuptim se sa më shumë që afrohen zgjedhjet gjithnjë e më shumë shfaqet paniku dhe frika e humbjes së pushtetit. Prandaj, nuk duhet të na habisin as vegetat, as këngët kreshnike që dikush i beson si të vërteta. Prej frikës nuk ka ilaç. Prej saj nuk ka shpëtuar as Gjergj Elez Alija bile. Ndërkaq për zërat që duan të përhapin përçarje në kampin tonë, dua t’jua kujtoj një gjë: perversiteti më i madh është ai që ndodhë brenda familjes, siç i ka ndodhur partisë së këtij akuzuesit. Dhe, e dyta, partitë tona nuk mbahen mend t’i kenë vrarë “shqiponjat” e veta”, tha për TV21 sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Mbrëmë në emisionin “ClickPlus” Ministri i Ekonomisë nga radhët e BDI-së Kreshnik Bekteshi deklaroi se si kreu i ASH-së Ziadin Sela po ashtu edhe ai i Alternativës Afrim Gashi, që tanimë kanë lidhur koalicion parazgjedhor, kanë frikë ta lënë vetëm njëri-tjetrin në takim liderësh, sepse si shtoi, nuk kanë besim tek njëri-tjetri se do t[i mbajnë qëndrimet për të cilat janë marrë vesh.
”Mos kapacitet i partive opozitare ku nuk i besojnë njëri tjetrit. Ziadin Sela ka frikë ta lejë Afrim Gashin vetë të marri pjesë (në takimin e liderëve) për shkak se ka dallime të mëdha. E njëjta ndodh me Afrim Gashin që ka frikë ta lejë vetë (Selën) të marri pjesë dhe ta përfaqësojë koalicionin sepse kanë dallime të mëdha dhe nuk i beson se mund t’i ketë qëndrime për të cilat janë dakorduar” deklaroi Bekteshi në “ClickPlus” të TV21.