Në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë reagimet pro dhe kundër propozimit të Alternativës për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare. Sot edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ngjashëm si kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, ka refuzuar këtë ide. Sipas Kovaçevskit, marrëdhëniet mes dy popujve janë të rregulluara me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe një asociacion i tillë nuk është i nevojshëm.
Por, Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, duke iu përgjigjur Kovaçevskit, ka shpjeguar se Asociacioni i Komunave Shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk kërkon rishqyrtim të Kushtetutës.
“Ky propozim është në kuadër të bashkëpunimit ndëretnik dhe në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Një bashkim i tillë nuk është zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, nuk është kërkesë për ndryshime kushtetuese, as për rrëzim të rendit shtetëror dhe as për ndonjë rregullim tjetër. Propozimi është vetëm në funksion të zhvillimit të komunave pa asnjë zgjidhje territoriale. Ky Asociacion vetëm avancon decentralizimin, i cili po zvarritet prej 20 vitesh”, tha Ibrahimi për Kanal 5.