4.6 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeZeqiri mbështet veprimet e Kurtit në veri: S’jap dorëheqje veç pse ma...

Zeqiri mbështet veprimet e Kurtit në veri: S’jap dorëheqje veç pse ma kërkon kryetari i PDK-së

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, veprimet e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në veri i sheh të drejta dhe ligjore, andaj thotë se e mbështet atë.

Zeqiri nuk nuk sheh ndonjë arsye për dorëheqje nga kjo pozitë, qoftë edhe nëse një gjë të tillë ia kërkon kryetari i partisë së tij.

Sipas tij, parësor për të është interesi shtetëror dhe nëse kërkohet të shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkojnë ndërkombëtarët, duhet të gjenden format ligjore dhe jo t’ju kërkohet dorëheqja, ka thënë ai.

“Para interesave të vogla ose personale për mua para të gjithave është interesi shtetëror dhe i të gjithë qytetarëve. Sa i përket zgjedhjeve, të cilat po spekulohet tani, duhet të gjenden format ligjore sepse nuk shoh ndonjë arsye që vetëm të japim dorëheqje… Ne jemi të orientuar të çojmë mandatin deri në fund… Veprimet e kryeministrit, por edhe tonat, unë i shoh të drejta dhe ligjore sepse nuk janë dëshira tona, por janë obligime ligjore… Në këtë drejtim e mbështes (kryeministrin), sepse unë punoj për shtetin, për ligjin”, deklaroi Zeqiri për KosovaPress.

Zeqiri ka shtuar se nuk mund të jap dorëheqje vetëm pse këtë mund t’ia kërkojë kryetari i partisë së tij, Memli Krasniqi.

“Edhe unë kam përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore, kështu që nuk do të thotë se mundet me më thënë po e zëmë kryetari i partisë time ose dikush tjetër, mua më duhet të zbatoj ligjin, unë e shoh veten ku jam në ligj, a është e ligjshme edhe dorëheqja ime… Unë jam një akter brenda Partisë Demokratike, mirëpo kur bëhet fjalë për këso situate në çfarë jemi… nuk mund të veproj jashtëligjshëm, pa marrë parasysh nëse ka thënë kryetari i partisë, a qoftë dikush tjetër.. Jam me parti gjithsesi, por natyrisht unë marrë referenca edhe prej qeverisë, edhe ndërkombëtarëve”, deklaroi ai.

Zeqiri ka vendosur që funksionin e tij ta ushtrojë nga zyra alternative, ndryshe nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili për më shumë se një muaj po qëndron i mbyllur në objektin e komunës.

Zeqiri ka thënë se nuk e kupton çfarë mund të bëjë një kryetar i mbyllur, pa kontakte dhe bashkëpunim. Ai e porosit Hetemin që të veprojë nga një zyrë alternative pasi do të ketë më të lehtë të ushtrojë detyrat e tij.

Mirëpo,Zeqiri nuk e fsheh dëshirën për të ushtruar detyrën e tij nga zyra që ndodhet në objektin e komunës në Zubin Potok dhe shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejtë.

“Besoj së shpejti, me ju thënë të drejtën, me pa që ka klimë dhe nuk ka tensione, mund të shkoj edhe brenda ditës”, shprehet Zeqiri.

Sa i përket punëve dhe detyrave të përditshme në komunë, kryetari i Zubin Potokut potencon se është arritur që deri diku të vihen punët në binarë, ndonëse përmend mungesën e komunikimit me shumicën serbe, si sfidën kryesore.

“Në baza ditore kemi dhjetëra kërkesa, sidomos zyra e regjistrimit civil siç janë letërnjoftimet, pasaportat, regjistrimi i automjeteve, shërbimet sociale i marrin të gjithë qytetarët. Trembëdhjetë drejtori janë funksionale dhe e kemi plotësuar atë boshllëk sa i përket emërimit të drejtorive, mirëpo sa mundemi të funksionojmë, sidomos tek çështja e zyrës kadastrale, pastaj tek Drejtoria e Shëndetësisë dhe Arsimit”, vijon Zeqiri.

Kryetari i Zubin Potokut thotë se Lista Serbe dhe grupe të caktuara, po bëjnë presion të jashtëzakonshëm duke i frikësuar qytetarët serbë për të mos qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Unë e kam në telefon një komunikim, unë ju kam ofertuar (serbëve) rreth themelimit të drejtorive, tetë drejtori me ju dhënë… Përgjigjen ma ka kthyer, ku thotë se është e pabesueshme, por nuk po guxojnë, bile edhe kundërshtarët e Vuçiqit nuk po guxojnë… Kanë një presion nga grupacionet e veta. Po dihet kush janë ata, Lista Serbe, pastaj grupet brenda tyre, secili po thotë se po frikohen, e kam mesazh në telefon komunikimin”, përfundoi Zeqiri./ kp

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments