5.3 C
Tetovo
E martë, 17 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeZëdhënësi i Qeverisë: Kurti i gatshëm t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e...

Zëdhënësi i Qeverisë: Kurti i gatshëm t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm t’i presë prokurorët e rastit në zyrën e tij – në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.

Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu ka thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që Kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së Prokurorisë. Megjithëkëtë, Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë Prokurorët e rastit në zyrën e tij, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët – për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë.” – ka thënë Kryeziu.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para medieve ka thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

“Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se Kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kryeministrin Kurti për një datë tjetër.” – ka thënë Kozmaqi.

Në ndërkohë mbrëmë, më 15.12.2024, Kryeministri Kurti rreth orës 23:45 ka publikuar fotografi në rrjetin social Facebook, se ishte në një Program të Filharmonisë së Sllovenisë, në Lubjanë.

“Salla ‘Marjan Kozina’ e Filharmonisë së Sllovenisë sonte frymoi në gjuhën shqipe.” – shkruajti ndër të tjera Kurti.

Kryeministri Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lajmin e kishte konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili kishte publikuar edhe ftesën që i është dërguar Kryeministrit nga Prokuroria Speciale – që mban nënshkrimet e prokurorëve, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit – të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.

Të pandehur në rastin e rezervave shtetërore janë Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments