Pas publikimit në disa media të Kosovës të një dokumenti që përmbante draftin e plotë të statutit të Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave Serbe, Bashkimi Europian ka mohuar se dokumenti është bërë publik.
Në një qëndrim dhënë për Euronews Albania, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se, “Sa i takon draft statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe, mund vetëm t’ju rikujtoj se është prezantuar një propozim europian i balancuar për krijimin e kësaj Bashkësie për palët e përfshira nga i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vitizës së tij në rajon në fund të tetorit, propozim që u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të udhëheqësve të Këshillit Europian muajin e kaluar.”
Miroslav Lajçak udhëhoqi një grup emisarësh perëndimorë në një vizitë në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor, duke i prezantuar Kosovës dhe Serbisë një draft statut për Bashkësinë. Megjithatë, përmbajtja e detajuar e këtij statuti nuk është bërë publike deri më tani.
Kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar dhe nënshkruar draft statutin për krijimin e Bashkësisë. Ndryshe, presidenti serb Vuçiç ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të pranojë asnjë dokument që përfshin njohjen de facto të Kosovës.
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Burim Ramadani, publikoi gjatë fundjavës atë që cilësoi një draft të plotë të Bashkimit Europian për Bashkësinë, në versionin origjinal dhe të përkthyer në shqip.