Detaje të reja janë mësuar rreth operacionit “Kriptonite”, gjatë të cilit ranë në pranga dy të rinjtë korçarë, Kanan Hani dhe Kristjan Feçanji.
Burime nga grupi hetimor, konfirmojnë se numri i shtetasve grekë që kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi shkon në 5 mijë.
Shumat e vjedhura nga llogaritë e tyre variojnë nga tre mijë deri pesë mijë euro. Grupi mashtronte shtetasit grekë, duke i ftuar të investonin në kriptomonedha.
Atyre që binin dakord të bëheshin pjesë e skemës fiktive të investimit, grupi i kërkonte të shkarkonin në kompjuterin e tyre një program, përmes të cilit hakoheshin të dhënat dhe zbrazeshin llogaritë bankare.
Ndërkohë, në ambientin ku kryhej mashtrimi, ishin të punësuar 7 shtetas nga Fieri, të cilët nuk ishin të deklaruar në organet tatimore.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme