Gjermania duhet të ndihmojë fqinjët e saj të Bashkimit Evropian të ringjallin ekonomitë e tyre pas krizës së koronavirusit”, kështu ka thënë kancelarja Angela Merkel në një takim me ligjvënës nga blloku i saj konservator.
Është thelbësore për Gjermaninë, si një vend eksporti, që partnerët e saj në BE të rikuperojnë ekonomitë ë tyre, u tha Merkel ligjvënësve, me qëllim konsultimet për një program rindërtimi të BE-së, shkruan “Reuters”.
Gjermania ka qenë vendi më i suksesshëm i Evropës në frenimin e përhapjes së virusit, pjesërisht falë testimit masiv, i cili ka sjellë një rihapje të pjesshme të ekonomisë.
Nuk është në interes të askujt që vetëm Gjermania të jetë e fortë pas krizës, i tha Merkel ligjvënësve gjatë takimit.
Kancelarja ishte në një mendim me Ralph Brinkhaus, drejtuesin e bllokut parlamentar konservator të CDU / CSU, se Gjermania do të duhet të transferojë një shumë parash në Bruksel dhe Bundestagu do përfshihej në dhënien e ndihmave financiare.
Më parë, Brinkhaus tha që Gjermania do ndihmojë partnerët e saj në BE, por duhej të dijë se sa miliarda do të përdorë. Komisioni Evropian pritet të paraqesë propozimet e rishikuara të buxhetit javën e ardhshme.
Burimet e koalicionit thanë se zyrtarët planifikojnë të lehtësojnë kontrollet në kufijtë gjermanë, që ishin të parët që u mbyllën në përgjigje të pandemisë, por ato nuk do të hapen plotësisht deri në 15 maj.