Bojan Jovanovski sot pas publikimit të vendimit për rastin “Reket”, Gjykatës i tha se të gjitha paratë e reketuara kanë përfunduar tek Zaev dhe vëllau i tij Vice, përcjellë Zhurnal.
Pas kësaj akuze, ka reaguar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ai për “Fokus” shprehet se akuzat ndaj tij vijnë pasi që kishte refuzuar t’i ndihmojë ilegalisht Bojan Jovanovskit në rastin “Reket”.
“Aktvendimi i sotëm për këtë rast është konfirmim se drejtësia funksionon pavarësisht për kë bëhet fjalë. Ka përfunduar koha kur politikanët lajmëroheshin në gjyqësi që të mbrojnë shkelësit e ligjeve. Edhe përskaj asaj që të gjitha dëshmitë për rastin e njohur “Reket” janë të njohura për opinionin, prap se prap Jovanovski kështu haptazi të gënjejë është vetëm për një shkak, sipas meje, pikërisht sepse unë e paraqita këtë rast dhe gjithsesi i refuzova të gjitha kërkesat nga ai për të ndërmjetësuar për t’i ndihmuar në procesin gjyqësor”, ka deklaruar Zaev.
Ai shton se edhe më tej do të vazhdojë të luftojë për drejtësinë.
“Unë kam luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj për qeverisjen e së drejtës, që ligji të vlejë njëlloj për të gjithë, drejtësia të vendosë pa ndikime pa dallim për kë bëhet fjalë dhe çdo kush që ka gabuar para ligjit të përgjigjet. Njëkohësisht çdo kërcënim për ndonjë komunikim timin me Bojan Jovanovskin të cilat i dorëzoi tek udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së pikërisht avokati i tij, përmes ndërmjetësuesve, pres të publikohen dhe edhe një herë të shohë opinioni cila është e vërteta, se përcaktimi im dhe i LSDM-së për drejtësi në shtet pa kompromis dhe asnjë kërcënim apo deklarata të tilla të rrejshme, nuk do të na kthejnë nga përcaktimi për përgjegjësi për gjithsecilin që ka gabuar para ligjeve”, thotë Zaev.
Lideri i LSDM-së potencon se përfundim gjyqësor në procese transparente duhet të ketë për të gjitha rastet gjyqësore, përfshirë edhe ato që dalin nga lëndët e PSP-së.
Ndryshe sot u shqiptua aktvendimi i parë për rastin “Reket”, sipas së cilës Jovanovski u dënua me 9 vite burg, ndërsa Katica Janeva me 7 vite burg. Të njejtët, kanë të drejtë ankese para Apelacionit.////zhurnal.mk