1.3 C
Tetovo
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeYlber Murtezi, drejtor i ri në Teatrin Shqiptar / Zgjedhjet nuk do...

Ylber Murtezi, drejtor i ri në Teatrin Shqiptar / Zgjedhjet nuk do ta pengojnë hapjen e teatrit

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do ta prolongojnë hapjen e Teatrit Shqiptar. I njëjti planifikohet të hapet brenda muajit.

Kështu shprehet drejtori i ri i Teatrit të Shkupit, Ylber Murtezi. Të njëjtën para disa ditëve e deklaroi edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri.

Murtezi tha se me ardhjen e tij në detyrë nuk do të lejojë zvarritje tjera për objektin, që sipas tij ka zgjatur sikur të ndërtoheshin 6 objekte.

“Është zvarritur kjo punë prej gati 2013 apo 2014. Ta themi të vërtetën Teatri Shqiptar nuk është ndërtuar, është adaptuar, por kjo zgjati sikur të ishin ndërtuar 5-6 objekte deri tani. Ta shohim gjendjen reale si është në teatër të hënën. Nuk duhet të varemi as prej zgjedhjeve, do të ketë nuk do të ketë, do të shtyhen nuk do të shtyhen, do të ketë sëmundje apo nuk do të ketë sëmundje, ne prioritet e kemi për ta hapur objektin dhe për të pasur repertor të rregullt”, theksoi Murtezi.

Valmir Aziri tha se nuk duhet të udhëhiqemi nga ndjenjat por duhet të presim që nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të japin lejen e duhur, për funksionim të sigurt të teatrit.

“Për çështje teknike, të mirënjohura për opinionin kemi arritur që të kemi disa shtyrje të afateve për të marrë fund kjo punë. Besoj që brenda muajit do të bëhet edhe pranimi teknik nga ana e Ministrisë së Transportit dhe do të lëshohet në përdorim Teatri Shqiptar. Për informatën tuaj grupi i aktorëve në Teatrin Shqiptar vetëm se po bën prova dhe po përgatitet për premierën e parë”, tha Aziri.

Përndryshe nesër bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së drejtorit të ri të Teatrit Shqiptar. Për 18 vite me radhë në krye të këtij institucioni kulturor ka qëndruar aktori Adem Karaga, kuadër i BDI-së ndërsa nga e hëna me vendim të Ministrisë së Kulturës, si UD drejtor vjen aktori Ylber Murtezi i mbështetur nga Alternativa.

Karaga nuk deshi ta komentojë përfundimin e mandatit të detyrës së tij, duke na thënë se është në prova.

Ndërkaq pas këtij ndryshimi në Teatrin Shqiptar, Murtezi tha se do të vijnë njerëz nga Ministria e Kulturës për të analizuar gjendjen faktike në institucion.

Teatri në Shkup ka nisur të rikonstruohet nga viti 2014, nga fundi i vitit të kaluar objekti ka përfunduar por i njëjti ende nuk është lëshuar në përdorim, me arsyetimin se po pritet leje për përdorim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments