Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi sot në mëngjes nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së policisë së Tetovës për të bë analiza “parafini” pas incidentit të mbrëmshëm, ku u plagosën dy persona, kanë thënë burime nga policia e Tetovës. Sipas informacioneve të para që qarkulluan mbrëmë në mediat online, deputeti Ademi ka plagosur me revole djalin e tij dhe një person tjetër, gjatë një ahengu familjar. Më pas reaguan familjarët, duke hedhur poshtë këto informacione dhe duke pohuar se plagosja ka ndodhur nga një plumb “rikoshet”, që ende nuk dihet kush e ka shkrepur. Për të ndriçuar rastin, policia sot mes tjerash ka ftuar deputetin Ademi për t’i bë analiza “parafini”, të cilat tregojnë nëse një person ka shtënë ose jo me armë zjarri. Mirëpo marrim vesh se Ademi në mëngjes nuk ka shkuar në polici, por me arsye të bazuar-ka pasur angazhime në Parlament. Gazeta Lajm deri tani nuk ka arritur të sigurojë deklaratë nga deputeti Xhevat Ademi lidhur me këto informacione që po qarkullojnë në portalet online. As në policinë e Tetovës nuk kanë përgjigje në këtë pyetje, duke thënë se prej mbrëmë rasti i ka kaluar në kompetenca të Prokurorisë Themelore të Tetovës. Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Besir Aliu, në deklaratë telefonike për Gazetën Lajm tha se policia duhet të tregojë se cilave persona konkretë u janë bërë analizat e parafinit. “Pasi mora informacionin për rastin, unë dola në vendngjarje dhe kërkova nga policia që të mer ‘dorëza të parafinit’ nga familjarët prezentë dhe nga nikoqiri i dasmës. Nuk kam kërkuar me emra konkretë se cilave persona tu bëhen analizat. Ditëve në vijim pres nga policia të më informojë se cilave persona u janë bë këto analiza dhe te kush janë gjetur eventualisht mbetje baruti”, deklaroi Aliu për Lajm.