Duke folur për bombardimet e NATO-s në Kosovë dhe periudhën e këtij zhvillimi historik, James Rubin ka thënë se ka qenë në kontakt të shpeshtë me Hashim Thaçin, me qëllim shkëmbimin e informacionit për ngjarjet në terren.
Derisa po merrej në pyetje nga gjyqtari Christoph Barthe, Rubin tha për Thaçin se beson që gjatë këtyre bisedave telefonike ishte shpesh në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Duke u ruajtur që të mos vritej, duke ruajtur organizatën e tij dhe popullin e Kosovës. Mendoj që më ka thanë që nuk ka qenë gjithmonë aty, por pjesën më të madhe ka qenë aty në Kosovë”, tha James Rubin.
Rubin tha se Thaçi e ka pasur një telefon satelitor dhe ka kontaktuar zakonisht në Qendrën Operative të DASh-it në mëngjes. Ky Departament, më pas ia kishte kaluar thirrjen atij, thotë Rubin.
Ai shtoi se gjatë bisedave, Thaçi e informonte për raporte që kishte marrë lidhur me atë se çka po ndodhte në terren.
Sipas Rubinit, këto ishin kryesisht raporte për vuajtjen e civilëve brenda Kosovës. Megjithatë, ndonjëherë Thaçi mund të gabohej, tha ai.
“Ai mund të merrte një raport, t’i thuhej diçka nga dikush, kontrollohej dhe dilte që nuk është e vërtetë”, tha Rubin, duke shtuar se informacionin e kontrollonte përpara se të plasohej në media.
Gjyqtari e pyeti dëshmitarin se a e përmendi Thaçi nëse raportet i kishte marrë nga diçka e quajtur Zbulim-Kundërzbulim. Rubin u përgjigj me ‘jo’.
Dëshmitari deklaroi se Thaçi dhe të tjerët përpiqeshin që t’i impresiononin me organizatën e tyre, por që ata nuk impresionoheshin.
Më tej, dëshmitari tha se ishte pikëpamje e tij se vendimet nuk merreshin nga Thaçi për konferencën e Rambujesë, por nga krahu ushtarak.