Sulmi i Rusisë mbi Ukrainën nuk ka shumë gjasa që të reflektohet në Kosovë, sipas deputetit të PDK-së Xhavit Haliti.
Ai në “Rubikon” të Klan Kosovës tha se duke qenë se kufijtë e Kosovës i garanton NATO-ja, askush nuk mund të ndërhyjë pa e llogaritur reagimin e kësaj të fundit.syri.net
“Procesi i anëtarësimit në NATO është një problem në vete dhe nuk e shoh si një proces që mund të ndodhë shpejt. Përparësia dhe siguria e Kosovës lidhet me atë se Kosovën e garanton NATO-ja, kufijtë e Kosovës i garanton NATO-ja dhe unë nuk e besoj që e ka dikush të lehtë të ndërhyjë duke llogaritur vetëm në fuqinë e Kosovës”.
Deputeti i PDK-së deklaroi edhe se disa shtete të cilat i kishin tërhequr nga Kosova forcat e tyre kanë filluar t’i kthejnë ato.
“Unë nuk jam i bindur që Kosova është e rrezikuar tani për tani, unë mendoj që më shumë janë të rrezikuara disa vende të tjera sesa Kosova. Sipas disa informatave edhe disa shtete që i kanë tërhequr forcat kanë filluar t’i kthejnë ushtarët në Kosovë. Edhe francezët më thanë që do t’i sjellin 200 ushtarë shtesë në veriun e Kosovës për të garantuar pikërisht sigurinë”.
Haliti tha se Kosova ka një Forcë të Sigurisë të trajnuar nga NATO-ja, por kompetencat e saj janë të kufizuara.