Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Talat Xhaferit, duke theksuar se ai mbërëm ka mbrojtur Parlamentin si institucion konform përcaktimeve kushtetuese.
“Pranova këtë konferencë për shtyp jo për t’ju arsyetuar dikujt dhe aq më pak deputetëve që nuk kanë kryer punën e tyre sipas Rregullores. Talat Xhaferi nuk është zgjedhur për kryetar me sakrificën e askujt. U zgjodh me vullnetin e shumicës, i përgjigjem Parlamentit dhe i përgjigjem popullit. Në parim kam mbrojtur institucionin Parlament konform përcaktimeve kushtetuese. Të gjithë ata që kanë dilema për punën time, kanë institucione kompetente ku të drejtohen. Përderisa jam kryetar parlamenti askujt nuk do ti lejoj të uzurpojë institucionin parlament, ta bllokojë atë”, tha Xhaferi, duke shtuar se procedurat për rastin konkret janë të parashtruara në Rregullore për punën e Kuvendit.
“Për kalkulimet politike le të drejtohen në subjektet politike, jo në parlament. Unë nuk e kam ndërmend të merrem me qëndrimet dhe raportet mes partive politike. Marrëdhëniet mes tyre varen nga programet e tyre. Talat Xhaferi nuk e ka shpëtuar Trajko Veljanovskin dhe as ka për qëllim të shpëtojë çdokënd që ka problem me ligjin. Të qenit deputet nuk nënkupton ikje nga drejtësia. Me asnjë procedurë në Kuvend nuk është penguar procedura gjyqësore për tu çuar deri në fund. Seanca u ndërpre sepse kaloi koha për votim deri në ora 00.00. Seanca është ndërpre për shkak të sjelljes së deputetëve konkretisht deputetit të shumicës Muhamet Zekiri. Se çfarë ka thënë, se si e tha vërtetojnë incizimet, nuk është momenti ta them unë. Meqë kaloi afati, nuk ka vendim. Më fjalorin konkret Parlamenti nuk lejon arrestimin e deputetit, imuniteti mbetet por procedura gjyqësore vazhdon”, deklaroi Xhaferi.