Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar, konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk i komentoi raportimet e mediumit amerikan, Bloomberg, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet t’i bindë vendet e Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar – kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.
“Siç ka thënë sekretari i Shtetit, [Marco] Rubio, ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë e kufijve amerikanë. Në këtë drejtim, çdo shtet duhet urgjentisht të pranojë kthimin e shtetasve të vet, që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Departamenti i Shtetit.
Në disa raste, thuhet po ashtu në përgjigje, mund të bashkëpunohet edhe me vende të tjera për të lehtësuar largimin nga Shtetet e Bashkuara të shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në SHBA.
Çka raportoi Bloomberg?
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Po atë ditë, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, por nuk mori përgjigje.
Në prill, edhe Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dëbimit të migrantëve në Moldavi, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit.