Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, i cili u vra në Bruksel para 35 vjetësh.Gjykata ka konstatuar se Hadri ishte vrarë me urdhër të Shërbimit të zbulimit të ish- Jugosllavisë
Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit.
Fajësia e Vukotiqit dhe Drashkoviqit ishte konfirmuar nga juria të martën ndërsa dënimi u shpall të mërkurën.
Juria këto vendime i ka marrë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të provave që kishet paraqitur prokuroria por edhe avokatët e mbrojtjes.
Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar edhe në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por dy të palët ishin ankuar prandaj edhe ishte përseritur gjykimi.
Bozhidar Spasiq, zyrtar i lartë i Shërbimit të zbulimit nga Beogradi, nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi.
Të dënuarit ndodhen në Serbi dhe gjykimi në Bruksel është zhvilluar në mungesë.
Sërgjan Cvijiq, autori i librit mbi vrasjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav (DB) në Bruksel, i cili së shpejti do të botohet në Serbi, konsideron se për ata që kanë ndjekur gjyqin për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 2016, nuk është befasuese dënimi fajësues i përsëritur për Drashkoviqin dhe Vukotiqin.
“Me këtë aktgjykim, më në fund vihet një pikë përfundimtare mbi këtë vrasje politike të kryer saktësisht 35 vjet më parë. Përveç rastit të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq në Mynih në vitin 1983, vrasja e Enver Hadrit është një nga rastet e rralla ku është vërtetuar para gjykatës se UDBA jugosllave vriste kundërshtarët e saj politikë jashtë vendit”, tha Cvijiq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Vajza e Enver Hadrit, Teuta Hadri, tha se gjatë seancës gjyqësore u vërtetua sërish lidhja midis shërbimeve sekrete serbe dhe jugosllave me rrjetin kriminal të atëhershëm në Beograd.
“Ata që organizuan vrasjen e babait tim u shpallën fajtorë, bazuar në dokumentet e shtetit të tyre”, deklaroi Teuta Hadri për gazetarët.
Ajo konsideron se vendimi i Gjykatës Belge është një fitore jo vetëm për familjen Hadri, por edhe për të gjithë aktivistët e asaj kohe që luftuan për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.
Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.
Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav./rel