Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Hungari, të cilat shënuan humbjen e kryeministrit Viktor Orbán dhe triumfin e sfiduesit Péter Magyar.
Përmes një mesazhi të shpërndarë në platformën sociale “X”, menjëherë pas pranimit të humbjes nga ana e Orbán, Von der Leyen u shpreh se: “Sonte zemra e Evropës rreh më fort në Hungari”.
Gjatë viteve të fundit, Hungaria nën drejtimin e Orbán ka pasur përplasje të shpeshta me Komisionin Evropian lidhur me parimet e shtetit të së drejtës, pavarësinë e medias dhe qëndrimet ndaj ndihmës për Ukrainën.
Deklarata e Von der Leyen shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes për kursin e ri politik të propozuar nga Péter Magyar, i cili gjatë fushatës premtoi rikthimin e Hungarisë në shoqëritë demokratike evropiane dhe bashkëpunim më të ngushtë me institucionet e bllokut.
