8.4 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaVOA / Prokurori i Përgjithshëm William Barr mbron vendimin për të larguar...

VOA / Prokurori i Përgjithshëm William Barr mbron vendimin për të larguar protestuesit pranë Shtëpisë së Bardhë

Prokurori i Përgjithshëm William Barr i doli në mbrojtje të enjten vendimin të tij të marrë në fillim të kësaj jave për të larguar demonstruesit që ndodheshin pranë Shtëpisë së Bardhë. Ai tha se masa ishte e nevojshme për të mbrojtur ndërtesën dhe personelin federal nga protestuesit gjithnjë e më agresivë.

Por zoti Barr, i cili po drejton përgjigjen federale ndaj protestave mbi vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd, mohoi se urdhri i tij për të shpërndarë turmën të hënën pasdite, ishte e lidhur me një vizitë të Presidentit Donald Trump tek një kishë pranë Shtëpisë së Bardhë, vizitë e cila nxiti mjaft debate. Ai tha se veproi përpara se të mësonte rreth planeve të presidentit Trump për atë ditë.

Ky veprim bëri që oficerët e zbatimit të ligjit të mbronin Shtëpinë e Bardhë duke përdorur lëndë djegëse që shkaktojnë lotë, tymuese, shkopinj e mburoja për trazira për të shtyrë një turmë prej disa qindra protestuesish, veprim që shkaktoi kritika në mbarë vendin për përdorimin e tepruar të forcës kundër demonstruesve kryesisht paqësorë. Me spastrimin zonës nga turma e protestuesve zoti Trump, shoqëruar nga zoti Barr, sekretari i Mbrojtjes Mark Esper dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të administratës, kaloi rrugën drejt kishën historike të Shën Gjonit, ku presidenti pozoi për një fotografi ndërsa mbante në dorë një bibël.

Vizita tejet e pazakontë erdhi disa ditë pas njoftimesh se zoti Trump ishte shpënë në bunkerin nëntokësor të Shtëpisë së Bardhë me rritjen e protestave jashtë godinës. Presidenti Trump tha se shkoi në bunker vetëm për ta inspektuar atë. Kritikët thonë se fotoja e pasdites së së hënës ishte ideuar për të treguar një president që ndërmerr veprime të guximshme e për të fashitur imazhin e një Presidenti i cili kërkoi të gjente strehim në bunker.

Roli i spikatur i Prokurorit të Përgjithshëm në drejtimin e personelit të zbatimit të ligjit të agjencive jashtë Departamentit të Drejtësisë, siç është Shërbimi Sekret, i cili funksionon nën Departamentin e Sigurisë së Brendshme, është një rast i pashembullt në historikun e viteve të fundit.

I pyetur në lidhje me autoritetin e tij të zgjeruar, zoti Barr tha se atij iu kërkua nga zoti Trump të hënën që të “koordinojë” përgjigjen e agjencive të ndryshme federale ndaj protestave. Por zoti Barr këmbënguli që nuk kishte “lidhje” mes urdhrit të tij për të larguar protestuesit dhe vizitës më pas të zotit Trump në kishë, e cila kishte pësuar disa dëme nga zjarri në bodrumin e saj një natë më parë. Ai tha se masa ishte ndërmarrë për të mbrojtur agjentët e Shtëpisë së Bardhë dhe Shërbimit Sekret që mund të shënjestroheshin nga predha të hedhura nga protestuesit.

\”Kam marrë vendimin që të lëvizim perimetrin tonë drejt veriut, me një bllok, për të siguruar mbrojtje shtesë” tha ai. Duke vepruar në këtë mënyrë zoti Barr dislokoi agjentë të shërbimit sekret, policinë e parkut, roje të sjella nga Byroja Federale e Burgjeve, helikopterë dhe personel taktik.

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i tha gazetës “The Washington Post” se strategjia e zotit Barr ishte që ta “mbushte zonën” duke vendosur “numrin maksimal të personelit të zbatimit të ligjit në terren”.

Largimi me forcë i protestuesve paqësorë, në mënyrë që zoti Trump të bënte një fotografi, u dënua gjerësisht. Ish-sekretari i Mbrojtjes gjatë administratë Trump, Jim Mattis, lëshoi një deklaratë të rrallë të mërkurën duke denoncuar veprimin dhe duke akuzuar zotin Trump për ndarje të kombit. Ndërsa zoti Esper ka kërkuar të distancohet nga ngjarja, zoti Barr tha se ishte “e përshtatshme” që ai dhe zyrtarë të tjerë ta ndiqnin zotin Trump ndërsa ai shkonte tek kisha./VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments