Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer tha se një hetim i pazgjidhur për shantazh në Maqedoninë e Veriut mund të minojë perspektivën e vendit për hapjen e bisedimeve të shumëpritura për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ish-kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, papritmas dha dorëheqjen muajin e kaluar, pas akuzave kundër saj për organizim të një skeme për të zhvatur miliona euro nga një biznesmen i paditur në këmbim të uljes së një dënimi.
Zyra e Prokurorisë Speciale (SPO) që drejtohej nga zonja Janeva, u krijua për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta dhe ka qenë prej kohësh simbol i aspiratave transatlantike të kësaj ish republike jugosllave. Me drejtimin e hetimeve ndaj ish-kryeministrit autoritar Nikolla Gruevski, zyra e saj ishte e mandatuar kryesisht për të rivendosur sundimin e ligjit në vend.
“Këto janë akuza serioze dhe të gjitha akuzat e tilla serioze kërkojnë një përgjigje serioze,” i tha zoti Palmer Zërit të Amerikës. “Ne mbështesim një hetim të plotë dhe transparent për këto akuza dhe, nëse provat ekzistojnë, atëherë duhet të ketë ndjekje penale. Kjo është një mundësi për autoritetet në Maqedoninë e Veriut që të demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj sundimit të ligjit.”
Vendi ndryshoi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut në fillim të këtij viti, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje më shumë se dy dekadëshe me Greqinë mbi çështjen e emrit, dhe duke hequr një pengesë për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO.
Javën e kaluar, Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn tha se Shkupi duhet të reformojë gjyqësorin që të mund të trajtojë rastet e nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit përpara se BE-ja të mund të caktojë datën e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit, por se ai ishte “i sigurt se vendimi (për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE) do të merret në tetor. “
Zoti Palmer tha se ai është optimist se negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE mund të hapen këtë vjeshtë, por zgjidhja e çështjes së prokurores Janeva do të jetë thelbësore për këtë vendim.
Dy partitë më të mëdha politike të Maqedonisë së Veriut janë grindur në lidhje me hartimin e një ligji të ri për kodin penal, i cili do të vendoste mbi fatin e zyrës së prokurorisë speciale që drejtohej nga zonja Janeva.
“Ne besojmë se Maqedonia e Veriut e ka fituar atë mundësi [për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE këtë vit], por … sinjalet që dërgon qeveria dhe suksesi i ligjit për Zyrën e Prokurorit të Posaçëm, do të jenë të rëndësishme për këtë çështje.”
Miratimi i legjislacionit të ri, një parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, do të përcaktojë ritmin e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Prandaj, zyrtarët amerikanë dhe ata të BE-së vazhdimisht u kanë bërë trysni të dyja palëve, opozitës së krahut të djathtë, VMRO-DPMNE dhe Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.
Takimet mes zyrtarëve të dy partive në fillim të kësaj jave dhanë sinjale përparimi, por grupet e punës janë ende në negociata.
“Është e rëndësishme që të gjitha palët të negociojnë, të zgjidhin dallimet mes tyre dhe të arrijnë një marrëveshje mbi atë se si mund të reformohet ose modifikohet Zyra e Prokurorit të Posaçëm në një mënyrë që avancon interesat e vendit,” tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.
“Ka patur mjaft lojë politike. Koha për lojra politike ka mbaruar. Tani është koha për treguar aftësi politike të shtetndërtimit,” tha ai.