Shtetet e Bashkuara hapin festimet për Ditën e Pavarësisë në një klimë kufizimesh e urdhëresash lokale që kanë anuluar parade e shfaqje me fishekzjarre, me mbyllje të plazheve dhe bareve në shumë komunitete, pasi zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë se kjo ditë feste mund të jetë një sprovë madhore e disiplinës personale që do të diktojë trajektoren e përhapjes së epidemisë në javët e ardhshme.
40 shtete po përballen me shtim të rasteve të reja, prandaj guvernatorët në një pjesë të madhe të vendit kanë dhënë urdhra për vënien e maskave në publik dhe po u bëjnë thirrje familjeve të qëndrojnë në shtëpi për të festuar. Edhe në raste të tilla, autoritetet inkurajojnë amerikanët të mos grumbullohen nëpër oborre në grupe të mëdha.
Ekspertët mjekësorë pohojnë se ky do të jetë moment vendimtar që do të diktojë nëse vendi do të zhytet në një krizë më të thellë. Ka shqetësime për një fundjavë të shoqëruar me sjellje të rrezikshme, si grumbullime në pishina, pikniqe apo parada që do të sillnin përhapje të infeksionit.
“Nuk do të arrestojmë njeri për faktin se organizojnë grumbullime, por patjetër që këshillojmë të mos ketë aktivitete me grupe të mëdha,” thotë Dr. Jeff Duchin, drejtor i shëndetit public për qytetin e Siatellit.
Edhe ata që organizojnë grumbullime të vogla këshillohen të tregohen të kujdesshëm, shton Dr. Duchin: “Kujdes që të mos përdorni të njëjtat artikuj servirjeje, pasi kur prekni të njëjtat lugë e pirunj përhapni mikrobe”.
Shqetësimi e ka burimin tek sjelljet e pakujdesshme gjatë fundjavës së Ditës Përkujtimore, kur shumë amerikanë frekuentuan plazhet, restorantet dhe grumbullime familjare. Në javët që pasuan rastet përditshme të konfirmuara me koronavirus kanë arritur nivele rekord.
Shtetet e Bashkuara kishin të premten 52,300 raste të reja me koronavirus, sipas statistikave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins. Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi janë goditur më rëndë.
Megjithë rrezikun, shumë komunitete do të zhvillojnë shfaqje me fishekjarre me këshillat për distancim social. Në komunën Apër Arlington të Ohajos, parada e 4 Korrikut do të ndjekë një itinerar shumë më të gjatë, në mënyrë që banorët ta ndjekin nga lagjet e tyre, pa pasur nevojë të mblidhen në qendër të qytetit.
“Po e quajmë parada nga avllia,” thotë organizatori Sam Porter. “Nuk kemi se si të mos bëjmë asgjë”.
Fishekzjarre do të ketë edhe në Albakërki të shtetit Nju Meksiko, por njerëzit mund t’i ndjekin nga shtëpia, pa grumbullime publike.